Ambasadori italian Fabrizio Bucci e ka mbyllur misionin e tij 5-vjeçar në Shqipëri me përshtypjet më të mira.
Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu. Sipas Buccit, përgjatë këtyre viteve janë bërë shumë gjëra pozitive qoftë në fushën tregtare, ekonomike, kulturore apo edhe në luftën kundër krimit e korrupsionit.
I pyetur se çfarë është gjëja që nuk i ka pëlqyer në vendin tonë, ai mohon të ketë një të tillë. Thotë se Shqipëria i ka mësuar se “dashuria dhe pasioni janë çelësi që hap të gjitha dyert”.
Pjesë nga intervista:
-Cila ka qenë eksperienca juaj në këto 5 vite në Shqipëri?
“Kanë qenë 5 vite të mrekullueshme e fantastike. Po, pak si malet ruse, me ulje dhe ngritje, por gjëja që them gjithmonë është se këtu në Shqipëri në 5 vjet nuk kam kaluar as edhe një ditë të vetme mërzie. Gjithmonë në veprim, në aksion…”
-As edhe një ditë të vetme mërzie?
“Jo nuk jam mërzitur asnjëherë!”
-Shpresoj që nuk do të shkoni në një vend të mërzitshëm…Do të shkoni në Gjermani?
“Po, do të shkoj në Gjermani, një vend ndryshe…”
-Po kalimin nga Shqipëria në Gjermani si e konsideroni?
“Do duhet pak kohë të mësohem me Gjermaninë. Janë dy shoqëri krejtësisht të ndryshme, por pas Shqipërisë gjithkush është i përgatitur për gjithçka. Mund të shkojë edhe në planetin Mars!
-Cila është gjëja që ke mësuar në këto 5 vite në Shqipëri?
“Kam mësuar kaq shumë gjëra, kam mësuar që duhet gjithmonë të kesh durim. Të bësh gjithçka me dashuri dhe pasion, sepse gjithçka që jep të shpërblehet. Në një vend si ky, pasioni dhe dashuria janë çelësi që hap të gjitha dyert.”
-Sigurisht, po cila është gjëja që nuk ju ka pëlqyer?
“Nuk kam çfarë them, më ka pëlqyer gjithçka.”
-Cila është gjëja më e madhe që keni bërë përgjatë gjithë këtyre viteve?
“Kemi bërë shumë gjëra, nga pikëpamja e marrëdhënieve tregtare, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve kulturore, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
Si momentin më të bukur të punës së tij këtu, veçon koncertin e mbajtur në Tiranë të këngëtarit Ermal Meta.
“Por më duhet ta them, një nga gjërat më të bukura që më ka pëlqyer ka qenë organizimi, nëse të kujtohet në Shtator 2021, një koncert të bukur të Ermal Metës këtu. Më kujtohet që atë ditë, iu bëra një surprizë të gjithë djemve, vajzave të Shtëpive Familjare që ne i kemi adoptuar në njëfarë mënyre, “Casa Rosalba” dhe “Casa Betania”. U bëmë këtë surprizë të bukur, i sollëm këtu për koncertin. Ata nuk e dinin, sepse idhulli i tyre ishte Ermal Meta dhe kur mbërritën këtu dhe hynë në stadium u çmendën nga gëzimi kur e panë. Ishte momenti më i bukur sepse shihej lumturia në fytyrat e tyre. Ishte moment i paharrueshëm!”, tha Bucci.
Bucci thotë se Shqipëria do t’i mungojë shumë, duke e cilësuar “shtëpinë e tij të dytë”.
“Është edhe shtëpia ime, sepse një ditë unë do të kthehem përsëri! Gjithçka e kam bërë me zemër dhe ndër shumë gjëra që kemi bërë, dua të kujtoj marrëveshjen për pensionet, që u ka dhënë atë që u takonte qindra e mijëra shqiptarëve që kanë punuar dhe derdhur kontributet e tyre në Itali”, përfundoi ambasadori italian.