Prokuroia e Posaçme (SPAK) njihet tashmë për metodat që përdor për të goditur grupet kriminale, politikanët dhe zyrtarët e korruptuar.
Një nga “hapat” kryesorë që përdor SPAK për të mbledhur prova mbi akuzat për një të pandehur është sekuestrimi dhe mbledhja e informacioneve nga celularët apo edhe Laptop-at.
Kemi dëgjuar shumë raste kur zyrtarëve apo edhe personazheve të botës së krimit u janë sekuestruar telefonat, e nga ku kanë dalë biseda shumë të rëndësishme, që kanë zbardhur ngjarje të bujshme.
Mirëpo kush qëndron pas hapjes së celularëve apo laptopëve, që sekuestrohen nga SPAK
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka zbuluar se prej disa vitesh SPAK ka futur brenda godinës së tij, dy kompani të huaja, të cilat ofrojnë shërbimin dhe asistencën e tyre për të thyer kodet e telefonave dhe pajisjet e tjera kompjuterike.
Mësohet e dy kompanitë që merren me “zbërthimin” e telefonave në SPAK janë një nga Izraelite dhe tjetra Kroate. Ata mundësojnë thyerjen e kodeve dhe aksesimin në e çdo të dhënë që ndodhet në telefon.
Bëhet fjalë për kompaninë “Cellebrite DI Ltd” me bazë në Izrael, e cila është lider në botë në fushën e sigurisë kompjuterike, dhe kompania tjetër “INsig2 d.o.o” me bazë në Zagreb, lider në Ballkan dhe Europë.
Izraelitët e “Cellebrite DI Ltd” është një kompani me 3 pronarë e themeluar në vitin 1999 në Izrael.
Përmes kontratave sekrete të papublikuara, por të bëra me negocim të drejtpërdrejtë, këta kanë hyrë vitet e fundit në SPAK, por mësohet se ata veprojnë në 14 shtete të ndryshme, duke lidhur qindra kontrata me agjencitë e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, dhe dhënë eksperiencën e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.
Nga ana tjetër, SPAK me procedurë sekrete ka kontraktuar dhe kompaninë Kroate me qendër në Zagreb, “INsig2 d.o.o” që drejtohet nga Goran Oparnica.
Në 16 shtator 2024, për kroatët e “INsig2 d.o.o” SPAK vendosi të shpenzojë nga buxheti 36 mijë euro vetëm për rinovimin e licensave të pajisjeve dhe programeve ekzaminuese për telefona celularë, kompjuterave dhe të pajisjeve të tjera, pa llogaritur blerjen e programeve.
Kontrata pritet të shtrijë efektin shërbyes përgjatë 12 muajve të vitit 2025. Ndërkohë mësohet se kjo kompani kroate ka qenë prezente në SPAK dhe në vitin 2022, 2023, 2024.
Shërbimin për vitin 2024, kjo kompani e ka lidhur përmes kontratës të firmosur në datën 12 dhjetor 2023, kundrejt një vlere prej 34 milion lekë.
Kurse Izraelitja “Cellebrite DI Ltd” përmes një kontrate sekrete të lidhur në 18 dhjetor 2023, kanë përfituar një vlerë prej 151 milion lekë, me qëllim që përgjatë vitit 2024 të japin asistencën dhe shërbimin e rinovimit të licensave për mirëmbajtjen e pajisjeve të sektorit të ekspertizës.
Këto dy kompani zbërthejnë të gjitha telefonat që SPAK dhe BKH sekuestron, përfshirë këtu dhe pajisjet kompjuterike të tjera, duke shmangur kështu ekzaminimin e këtyre pajisjeve dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.
/a.r