Telefonuan Policinë me pretendimin se disa persona kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre, dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, vihen në pranga babë e bir.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, e përdorur gjatë ngjarjes, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në fshatin Mënik, një shtetas pretendonte se persona të paidentifikuar kishin hyrë në oborrin e banesës së tij, dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Rrethanat: Shtetasi G. H., 58 vjeç, mbrëmjen e djeshme ka telefonuar Policinë duke pretenduar se persona të paidentifikuar, ishin futur në oborrin e banesës së tij, dhe kishin qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë, dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, është shtetasi O. H., 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., dhe O. H., (babë e bir), të dy banues në Mënik.
Gjatë kontrollit të banesës së dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, të përdorur gjatë ngjarjes, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridikdionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.