“BE-ja në përgjithësi kërkon që vendet të përmirësojnë qeverisjen e tyre përpara se të anëtarësohen; rregulloret e unionit kanë për qëllim t’i mbajnë vendet të rregullta pasi të jenë anëtarësuar. Fatkeqësisht, të dhënat e dekadës së fundit tregojnë një histori tjetër.”
Kështu shkruan revista prestigjioze “The Economist” për korrupsionin aktual brenda shteteve anëtare të BE, në një kohë kur çdo vendi aspirant i tregohet suksesi me luftën ndaj korrupsionit, si parimi themelor për anëtarësimin.
Duke u ndalur pikërisht te vendet e BE, revista shkruan:
Polonia, një vend relativisht i pastër, u bë më i pisët nga viti 2015 në 2023 nën një qeveri populiste. Rumania burgosi mijëra zyrtarë të padenjë, por të tjerë shpesh zinin vendet e tyre. Në Bullgari, Republikën Çeke dhe Sllovaki, oligarkët kanë tejkaluar prokurorët. Nën sundimin joliberal të Viktor Orban, Hungaria është bërë po aq e korruptuar sa disa vende në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Ish-blloku sovjetik nuk është i vetmi rajon për t’u shqetësuar. Rryshfeti që u shfaq në Spanjë gjatë krizës globale financiare ka çuar në pak reforma. Italia është përmirësuar, por vetëm mbi nivelin e ulët të administratave të skandalizuara të Silvio Berlusconit. Korrupsioni i Greqisë është famëkeq dhe reformat që BE dhe FMN vendosën pas krizës së euros, bënë pak për ta rregulluar atë. Në vitin 2019, një prokurore greke që ndoqi Novartis, një firmë ilaçesh për ryshfet ndaj mjekëve u pushua nga puna dhe më pas u procedua vetë, edhe pse në Amerikë kompania pranoi fajin dhe pagoi 347 milionë dollarë gjobë.
Më keq akoma, institucionet e BE-së kanë pasur skandale të mëdha të tyre. Në fund të vitit 2022, policia belge arrestoi disa anëtarë të Parlamentit Evropian dhe ndihmësit e tyre për marrjen e ryshfeteve nga Katari (dhe sekuestroi gati 1 milion euro para të gatshme në stilin retro). Një e katërta e eurodeputetëve janë përfshirë në telashe etike, sipas Follow The Money, një faqe interneti investigative holandeze.
“The Economist” shton se në shumë raste të mëdha korrupsioni, ndihma financiare e vetët BE-së për shtetet e saj, është pjesë qendrore e historisë. Projektet infrastrukturore të Hungarisë të financuara nga BE i shkojnë vazhdimisht biznesmenëve të lidhur me zotin Orban. Në Republikën Çeke, Bullgari dhe Rumani, shumë përfitues të mëdhenj të subvencioneve të fermave të BE-së janë agro-bizneset me lidhje të dyshimta me politikanët. Fondi i Italisë për ndihmën ndaj Covid-it, i mbështetur nga BE-ja, ishte në shënjestër të një skeme mashtrimi prej 600 milionë eurosh, për të cilën prokurorët europianë akuzuan së fundmi dhjetëra njerëz.
Duke përshkruar këtë situatë, The Economist vlerëson se “evropa e pastër xixë është më e korruptuar nga sa mendoni” dhe se “pastrimi i BE-së nuk po funksionon aq shpejt sa duhet”.
/a.r