Akuzat për Majkon, Koçi: Berisha, politikan intrigant! Fatkeqësi për të djathtën dhe vendin

Pandeli Majko ka sfiduar Sali Berishën në lidhje me pretendimin se SHISH ka fshehur regjistrime ku shfaqej deputeti i PS duke bashkëpunuar me eksponentë të krimit me qëllim shitblerjen e votave në Kukës. Majko tha se i është drejtuar Kuvendit për të marrë informacione nga SHISH mbi vërtetësinë e këtyre aludimeve.

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, duke komentuar këtë akuzë të Sali Berishës, tha se ai nuk duhet të merret seriozisht. Sipas tij, Berisha është një fatkeqësi për Partinë Demokratike dhe opozitën.

“Berisha është politikan gërrnjak. Njeri që do vetëm të grindet, politikani më intrigant që ka pasur ndonjëherë skena politike, duke filluar që nga koha e monizmit deri në demokraci. Dua të bëj dy supozime, imagjino sikur të gjithë 80 vjeçarët të ishin si Berisha, do të kishte filluar një luftë civile mes pleqve. Në këtë moshë njeriu duhet të jetë simbol i urtësisë, i njeriut që këshillon. Berisha është fatkeqësi për vendin, për të djathtën dhe të gjithë opozitën. Një supozim tjetër, imagjino sikur trollet e historisë të kishin vënë në vend të Ramiz Alisë Berishën, gjakderdhja do të ishte e përmasave botërore. Mos prisni diçka tjetër. Ai duke qenë vetë në një situatë që nuk e zë gjumi se është nën akuzë. Duke qenë vetë nën akuzë duhet ngrenë një lloj stuhie ku perceptimi publik të jetë se të gjithë këtu të gjithë njëlloj janë. Mua nuk më duket gjë për ta marrë seriozisht por një staturë si e Pandit nuk i duron dot këtë gjëra.“, u shpreh Koçi.

Një koment bëri edhe për hetimin e SPAK ndaj Erion Veliajt.

“Duhet ta pranojmë se Veliaj është përballë një provë të madhe në jetën e tij politike, që ka filluar ta përballojë siç duhet se ndryshe nga Berisha ka mbajtur qëndrim bashkëpunues me organet e drejtësisë. Një lloj prove që në fakt është më shumë individuale dhe duhet përshëndetur fakti që është i hapur për bashkëpunim dhe ky është kontrasti i madh politik që ka një përfaqësues i PS me një të PD siç është Berisha. Ne sa herë një socialist akuzohet nuk kthehemi në avokaturë mbrojtëse siç bën pala tjetër, që çdo të akuzuar të SPAK e konsideron të përndjekur politik. Kjo pjesë e këtij qëndrimi që mban kryetari i bashkisë duhet përshëndetur fort”, shtoi ai.

Kur u pyet për votën e diasporës dhe nëse numërimi duhet të bëhet nga KQZ ose partitë, deputeti shtoi:

“Kodi mund të ndryshojë se duhet një ndryshim teknik sa i përket pagesës që kthen zarfin me votën për në KQZ. Se si do të bëhet numërimi se di akoma, sepse duhet konsensus partiak por më mua them se nuk është se ndryshon shumë. Në KQZ do të ishte një votim më i qetë dhe më pak përplasje. Vëzhgimi i partive nuk do të mungonte por opozita kërkon të jetë vetë.“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com