Akuzat për albanofobi, LSDM: Ali Ahmeti të dalë nga filmi i nacionalizmit

Në Maqedoninë e Veriut, arratisja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi po shoqërohet me tensione politike.

Ndaj Grubit u lëshua një urdhërarrest më 18 dhjetor pas dyshimeve se është përfshirë në korrupsion me disa të pandehur të tjerë, duke i krijuar mbi 8 milionë euro kosto kompanisë shtetërore të lotarive.

Grubi ka qenë zyrtar i lartë i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe bashkëpunëtor i ngushtë i drejtuesit të saj, Ali Ahmeti.

Partia qeverisëse në vend, VMRO-ja, i bëri thirrje LSDM-së që të kërkojë falje për faktin se nuk e ka denoncuar krimin e ish-zv.kryeministrit në arrati.

Reagimi i LSDM-së erdhi nëpërmjet kryetarit Venko Filipçe, i cili e hodhi poshtë mundësinë e bashkëpunimit më tej me BDI-në, duke e cilësuar atë një forcë përçarëse e me “njolla korrupsioni”.

“LSDM kurrë më nuk do të lejojë që të futet në të njëjtën kornizë apo të jetë në varësi të ndonjë partie, posaçërisht të BDI-së. Stigma (njolla) e korrupsionit që ka mbartur ndër vite kjo parti është diçka nga e cila ne distancohemi qartë dhe pa mëdyshje. Retorika e tyre dhe ngritja e vazhdueshme e tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme. Politika të tilla nuk kanë vend në shoqërinë tonë multietnike,” u shpreh z. Filipçe.

Deklarata nuk u mirëprit nga partia shqiptare BDI, e cila me një njoftim për shtyp e shtyu temën në drejtim të kombësisë, duke përsëritur qëndrimin e kryetarit Ahmeti javë më parë se çështja bëhet për “hakmarrje” dhe se “eksponentë të botës serbe po mbjellin frikën se shqiptarët janë armiku i tyre”.

“Ata tani po ndjekin të njëjtin udhëzim, duke përdorur albanofobinë si një mjet për të fituar pikë politike. Por koha e këtyre lojërave po mbaron. Shqiptarët nuk do të pranojnë të bëhen kurban i politikave të dështuara të LSDM-së apo DPMNE-së apo i agjendave të huaja që punojnë kundër Maqedonisë së Veriut. Ky vend nuk ka të ardhme mbi urrejtjen dhe ndarjet etnike,” deklaroi BDI-ja.

Të premten, socialdemokratët i konsideruan provokime të rrezikshme deklaratat e BDI-së rreth etnisë, që “janë shndërruar në strategjinë e vetme të partisë”.

“Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duhet të dalë përfundimisht nga filmi nacionalist.

BDI nuk duhet të harrojë se shqiptarët në këtë vend duan paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Kur BDI e akuzon LSDM-në për albanofobinë, nuk duhet harruar se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh votojnë për partinë tonë. LSDM ka fobi nga nacionalistët dhe populistët dhe ne gjithmonë do të reagojmë ndaj njerëzve të tillë. Ahmeti dhe BDI-ja me veprimet e tyre po i mundësojnë VMRO-DPMNE-së që edhe më tutje ta ndezë situatën ndëretnike në vend dhe të përfitojë politikisht. Indirekt, BDI është ajo që krijon albanofobinë me sjelljen e saj,” thuhet në reagimin e LSDM-së. /Alsat, GE, TV21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com