Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi thotë në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, se ai mbështet organet e drejtësisë dhe se i denoncon ato sa herë kur nuk zbatojnë. Ndryshe nga ish-kryeministri Sali Berisha që i sulmon ato duke i cilësuar vegla të Edi Ramës, Gazment Bardhi thotë se beteja e opozitës nuk duhet të jetë me organet e drejtësinë por me Edi Ramën.
Bardhi: Unë kam vlerësimin tim sa i takon organeve të drejtësisë. E kam thënë dhe e përsëris, opozita nuk mund dhe nuk duhet të ketë betejë me organet e drejtësinë. Beteja jonë është vetëm me regjimin e Edi Ramës dhe çdo veprim i joni do të duhet të jetë kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, sikundër kam bërë thirrje që organet e drejtësisë do të duhet të kryejnë veprime vetëm me forcën e ligjit.
Pra është pika që iu ndan me zt.Berisha?
Bardhi: Unë nuk do ta shikoja as si bashkim dhe as si ndarje. E shikoj si një qasje timen në raport me organet e drejtësisë. Organet e drejtësisë duhet të zbatojnë ligjin dhe sa herë unë të konstatoj sipas vlerësimit tim që ka një tejkalim të asaj që parashikon ligji patjetër do të them opinionin tim të lirë. E kam thënë në të shkuarën si në rastin e sterilizimit ku pati një amnisti të orkestruar nga segmente të caktuara të Prokurorisë së Posaçme. Ishte gjykata ajo që detyroi SPAK që të merrte nën hetim ish-ministrin e Shëndetësisë, mikun e ngushtë të Edi Ramës, i cili deri në atë fazë të hetimeve ishte amnistuar nga hetimet e Prokurorisë.
Më tej, një grup prokurorësh konstatuan edhe pasuri apo veprimtari të tjera të kundraligjshme të mikut të ngushtë të Edi Ramës. Unë gjykoj dhe besoj që institucionet e drejtësisë duhet të kryejnë veprime që u dikton ligjin. Në parim u jam drejtuar institucioneve të drejtësisë. Për sa kohë u drejtohem me kallëzime Prokurorisë së Posaçme, ku konstatoj se ka vepra penale, do të thotë dua t’i jap besimin dhe mbështetjen time për të kryer veprimtarinë e tyre konform ligjit. Sa herë konstatoj se ka devijime, unë do të them opinionin tim./m.j