Municionet e prodhuara në Shtetet e Bashkuara u përdorën në sulmin vdekjeprurës izraelit në një kamp civilësh në Rafah të dielën. Kjo e dhënë alarmante vjen pas hulumtimeve të kryera nga CNN nga vendi i ngjarjes dhe bisedave me ekspertë të armëve shpërthyese.
Nga analiza është parë bishti i një bombe me diametër të vogël GBU-39 (SDB) të prodhuar nga SHBA-ja.
“GBU-39, i prodhuar nga Boeing, është një municion me precizion të lartë “i projektuar për të sulmuar objektiva pikash të rëndësishme strategjike”, tha eksperti i armëve shpërthyese Chris Cobb-Smith për CNN.
Megjithatë, “përdorimi i çdo municioni, qoftë edhe i kësaj madhësie, do të ketë gjithmonë rreziqe në një zonë me popullsi të dendur,” tha Cobb-Smith, i cili është gjithashtu një ish-oficer i artilerisë së Ushtrisë Britanike.
Të paktën 45 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu pas sulmit të ushtrisë izraelite në periferi të qytetit më jugor të Gazës. Shumica prej viktimave ishin gra dhe fëmijë.
Pamjet e siguruara nga CNN treguan një pjesë të kampit në Rafah në flakë, me dhjetëra burra, gra dhe fëmijë që përpiqeshin furishëm të gjenin strehë nga sulmi. Trupat e djegur, përfshirë ato të fëmijëve, mund të shiheshin duke u nxjerrë nga rrënojat.
Sulmi i përshkallëzuar i Izraelit në Rafah – ku rreth 1.3 milionë palestinezë po strehoheshin është dënuar nga ndërkombëtarët, me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, grupet e ndihmës dhe qeveritë e shumta që i bëjnë thirrje Benjamin Netanyahu që të ndalojë menjëherë ofensivën.
/a.r