Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksi”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Falë shkëmbimit të informacionit, goditet një rast i tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 19-vjeçari që transportonte 5 emigrantë, për këtë qëllim. Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe 1 celular. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, se një shtetas po transpotonte në drejtim të qytetit të Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, disa shtetas nga Vendet e Treta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasit T. B., 19 vjeç, banues në Podgoricë.
Gjatë operacionit, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin T. B., duke drejtuar një automjet, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën 5 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët nga hetimet e kryera, rezulton 19-vjeçari iu kishte premtuar transportimin drejt BE-së, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Volkswagen Polo” dhe 1 celular.\
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./m.j