Policia e Kosovës ka gjetur këtë të dielë një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh si dhe materiale të tjera luftarake në një banesë, në fshatin Zveçan i vogël.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë e Kosovës sqarojnë se gjatë kontrolleve në këtë banesë ata kanë gjetur në tavan dhe kanë konfiskuar dy armë zjarri AK-47, disa karikatorë, një sasi e municionit dhe një elektroshok.
Ndër të tjera bëhet me dije se banesa i përket një shtetasi serb, i cili aktualisht ndodhet në Serbi, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
“Policia e Kosovës, me datën 21.04.2024 rreth orës 10:30, si rezultat i angazhimeve të saja ka pranuar një informacion se në Zveçanin e vogël, në një shtëpi dyshohet për armë ilegale.
Sipas detyrës zyrtare është njoftuar prokurori kujdestar, me autorizim të të cilit zyrtarët policorë sipas procedurave të parapara kanë realizuar një operacion të kontrollit të një shtëpie, në tavanin e së cilës janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri AK-47, disa karikatorë, një sasi e municionit dhe një elektroshok.
Policia e Kosovës posedon informacione lidhur me personin e dyshuar mashkull serb të cilit i përket shtëpia e banimit, e i cili dyshohet se gjendet në Serbi.
Vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me procesin e votimit, për apo kundër largimit nga funksioni i Kryetarëve të Komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit”,-njofton policia kosovare.