Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) Shpëtim Idrizi, ka komentuar dënimin me 2 vite burg për blerje votash, për kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerin.
I ftuar në rubrikën Opinion në News 24, Idriza i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë Belerin për disa çështje të tjera si masakra e Pëshkëpisë, armëmbajtje pa leje apo djegien e simboleve kombëtare.
Sipas tij, Greqia po e përdor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës si ‘kalë troje’ për interesat e saj në Shqipëri.
“Për ne Fredi Beleri është një ekstremist, e duhet të hetohet për pjesëmarrjen e tij në masakrën e Peshkëpisë, që është dënuar për armëmbajtje pa leje, që është dënuar për djegie të simboleve kombëtare nga gjykatat shqiptare.
I kemi bërë thirrje SPAK që Beleri të hetohet për akuza të tjera. Për këtë çështje na vijnë përfaqësues të Greqisë, të cilët nga ana tjetër shtypin të drejtat e të burgosurve në vendin fqinj.
Asnjë nga këta nuk kujtohet të thotë që të hiqet ligji i luftës. Beleri u zgjodh me kast, që të kthehet në kalë troje për Greqinë. Edhe pse Beleri ka shumë rekorde penale, sërish Athina e përdor për të sulmuar Shqipërinë.
I qajnë hallin Fredi Belerit, për një njeri që është përsëritës i veprave penale. Kur ata thonë se pushteti ka interes që të marrë prona në Himarë, duhet të përmendin emra. Politika shqiptare duhet ta thyejë heshtjen për shqiptarët e Çamërisë”, tha Idrizi.
/f.s