Administrata në Shqipëri ‘pushon mirë’, plot 141 ditë në vit! Kontrasti me pagat dhe çfarë sugjerojnë ekspertët

E referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, që e caktoi të hënën, pra datën 27 nëntor ditë pushimi, i bie që administrata shtetërore të pushojë 5 ditë rresht, përfshirë edhe fundjavën që i paraprin 28-29 nëntorit.

Pano Soko, ekspert për ekonominë tha: “Administrata Shqiptare pushon mirë. Po të llogarisim gjatë një viti janë 52 javë shumëzim për 2 ditë bëjnë 104 ditë, plus 22 ditë pushimi vjetore, 126 ditë, i shtojmë këtu 15 festat zyrtare janë 141 ditë gjithsej. 141 ditë janë më shumë se 4 muaj, janë gati 5 muaj pushime. Pra administrata pushon gati 40% të kohës dhe punon 60% të kohës.

“Por unë mendoj se kjo është një gjë pozitive e cila duhet mbështetur, për shkak se dimensioni i ri ku shoqëritë po shkojnë është dimensioni Human, ku marrëdhëniet sociale, sidomos marrëdhëniet brenda familjes janë ato që stimulohen më tepër. P.sh. në Gjermani dhe Francë sot është e ndaluar me ligj që punonjësi të telefonohet apo t’i dërgohet email pas orarit zyrtar të punës”.

“Sot është kuptuar që jo detyrimisht të qëndruarit në punë prodhon të mira, përkundrazi është efiçenca në punë që prodhon të mira. Ti mund të jesh 7 ditë në punë, por efektivisht, në efiçencë ti punon 2 ditë. Për këtë arsye sot Finlanda po diskuton javën 4 ditëshe të punës, pra punohet të hënë, të martë, pushim të mërkurën, punohet të enjte, të premte dhe pushohet të shtunën dhe të dielën.

“Natyrisht që ditët e pushimit të administratës publike mbartin një kosto pasi paguhen 100%, por kanë edhe përfitimet e veta pasi gjatë kësaj kohë kursehet energji elektrike, letër, ujë, karburant. Por nga krahu tjetër të dhënat e INSTAT-it tregojnë se kemi rritje të konsumit gjatë ditëve që administrata pushon. Blejnë, udhëtojnë, konsumojnë, gjë që ndihmon ekonominë. Kështu që ditët e pushimit të administratës janë ‘win-win’, fitore-fitore për të dyja palët” theksoi ai.

Ndërkohë që qeveria ka planifikuar rritje page vetëm për administratën publike, çka pritet të krijojë pabarazi edhe më të mëdha sociale si dhe mund të dekurajojë ata të cilët punojnë në sektorin privat që ose të kërkojnë punë në shtet, ose të largohen jashtë vendit.

Pa marrë në konsideratë korrupsionin, rritja e pagave, kur mungon produktiviteti, mund të realizohet ose përmes taksave që do të shtohen dhe do të rëndojë në kurriz të pjesës ndoshta më “të persekutuar” së shoqërisë, ose përmes inflacionit që do t’i dëmtojë të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com