Acarohen marrëdhëniet me BE, Komisioni i pezullon 200 milionë euro fonde Hungarisë

Komisioni Europian ka vendosur që 200 milionë euro fonde të cilat duhet të depozitoheshin në arkat e Hungarisë, të pezullohen.

Vendimi i ashpër erdhi pasi Budapesti zyrtar shkeli afatin kohor për të paguar një gjobë që rëndonte mbi ta për shkeljen e ligjit të BE-së për azilin.

“Ajo që do të bëjmë tani është të zbresim 200 milionë euro nga pagesat e ardhshme nga buxheti i BE-së për Hungarinë”, tha një zëdhënës i Komisionit në Bruksel.

Njoftimi është i fundit në një seri qortimesh për Hungarinë, ku qeveria e Viktor Orban kritikohet nga BE për politikën e saj jofleksibile të refugjatëve.

Në qershor, Gjykata Evropiane urdhëroi gjithashtu Hungarinë të paguajë 1 milion shtesë në ditë për dështimin në zbatimin e një vendimi të mëparshëm për të ndryshuar politikat e saj të azilit, shkruan A2.

Gjykata ka gjobitur Budapestin për shkelje të ligjit të BE-së, duke përfshirë kufizimin e aksesit në procedurat e mbrojtjes ndërkombëtare, të drejtën e azilkërkuesve për të qëndruar në Hungari në pritje të një vendimi përfundimtar dhe largimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë ilegalisht, tha gjykata në një deklaratë për shtyp të lëshuar në qershor.

Komisioni kishte dërguar kërkesën e parë për pagesë në Budapest për të mbledhur gjobat e papaguara ditore, por qeveria e Orban i ka anashkaluar duke mos i shlyer ato.

“Budapesti po shmang qëllimisht zbatimin e politikës së përbashkët të BE-së për mbrojtjen ndërkombëtare”, u tha në një reagim të gjykatës.

Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës përbën një shkelje të paprecedentë dhe jashtëzakonisht të rëndë të ligjit të BE-së, pasi ato janë të detyrueshme për 27 vendet anëtare të BE-së.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com