Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka folur për mediat pas seancës plenare të kësaj të hëne. Ajo u pyet nga gazetarët nëse ka pasur fletëthirrje në SPAK për të ose kreun e PL-së, Ilir Meta.
Kryemadhi tha se ka pasur fletëthirrje nga SPAK për çështje që lidhen me inceneratorët dhe ironizoi duke thënë se pret që ta thërrasin edhe për operacionet plastike. Po ashtu ajo u shpreh se nuk është thirrur për çështjen e lobimit.
Pyetje: A ka pasur fletëthirrje në SPAK për ju ose zotin Meta?
Monika Kryemadhi: Unë fletëthirrje kam pasur shumë nga SPAK dhe këto kanë qenë të lidhura me inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit që kanë të bëjnë jo vetëm për ato denoncime dhe padi që kam ngritur unë. Nuk kam ndonjë problem edhe për çështjet e tjera. Edhe për operacionet plastike pres që të më thërrasë SPAK-u.
Pyetje: Jeni thirrur?
Monika Kryemadhi: Jo nuk jam thirrur për këtë gjë.
Pyetje: Po për çështjen e lobimit?
Monika Kryemadhi: Jo as për çështjen e lobimit.
Pyetje: Ju i druheni se SPAK-un mund të përdoret për t’ju goditur?
Monika Kryemadhi: SPAK-u normalisht, mënyra, metodologjia që është përdorur është që personat që janë me precedentë penalë bëjnë padi për njerëz të tjerë dhe OK, kanë për detyrë që t’i hetojnë dhe t’i çojnë deri në fund. Ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme është kur procedurat dhe nuk mendoj që këtu është problem i SPAK-ut, këtu është problem i mosfunksionimit të shtetit. Po e them edhe një herë tjetër. Mua nuk më shqetëson SPAK-u. Çfarë është një prokuror? Një nëpunës. Kush ia paguan rrogën? Edi Rama. I thotë të heq gruan nga puna, të heq burrin nga puna, të bëj këtë, të bëj atë, të vë 10 polica nga mbrapa.
Pyetje: Juve thatë që keni dijeni për disa fletëthirrje në SPAK, për kryetarin tuaj të partisë keni dijeni? Ka ndonjë fletë thirrje në SPAK?
Monika Kryemadhi: Po, edhe mund të ketë, por çfarë problemi ka?
Pyetje: Për çfarë çështje?
Monika Kryemadhi: Po nuk e di, mund të ketë edhe 200 çështje. Këtu çështja është…
Pyetje: Që të sqarojmë fake news.
Pyetje: Ju për cilat keni dijeni se ka pasur disa lajme që kanë qarkulluar?
Monika Kryemadhi: Për ne fletëthirrje nuk ka, por fletëthirrje në SPAK mund të kenë edhe për dashnorët apo dashnoret e gazetarëve. Kështu që mos u shqetësoni që mund të japim llogari dhe për këto gjëra.