Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe ish-ministri Ylli Manjani janë përfshirë në debate në studion e emisionit “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, lidhur me punën e SPAK.
Manjani e pyeti Bardhin për të dhënë mendimin e tij lidhur me punën e SPAK dhe ai tha se e njeh si institucion dhe e vlerëson punën e tij.
Më pas Manjani e pyeti nëse SPAK ka bërë mirë që ka vendosur ish-kryeministrin Sali Berisha në ‘arrest shtëpie’ dhe Bardhi u përgjigj se çështja nuk duhet parë kaq bardh e zi dhe të gjykosh gjithë punën e SPAK vetëm për një vendim.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Bardhi: Bie dakord, këtë hajde ta diskutojmë mbi performancën dhe nevojën për reformim të kodit të procedurës penale dhe kodit penal. Çdo gjë që ka interes për qytetarët, nuk kam kompleks unë për të bërë reformim. Ne ishim e njoh dhe e respektoj unë SPAK apo jo, kështu e kuptova unë pyetjen, pastaj a ka nevojë të reformohet kodi i procedurës penale, kodi penal, apo legjislacioni përkatës në këtë drejtim, patjetër. Për mua është absurditet i madh që raporti i atyre që ndodhen sot me heqje lirie të jetë i përmbysur. Të ketë më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. Unë sa herë të kem kritika për punën e institucioneve të drejtësisë, do të mbaj qëndrimin tim.
Manjani: Domethën ia ka bërë mirë Berishës që e ka mbyllur në shtëpi. Ka bërë mirë apo jo që ka burgosur liderin e opozitës?
Bardhi: Çështja nuk është bardh e zi, unë kam mbajtur qëndrimin tim për këtë çështje. Si politikan unë i njoh institucionet, i respektoj institucionet, i drejtohet institucioneve sa herë që kam diçka./m.j