Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, është shprehur se gjatë këtyre 10 viteve, opozita nuk i ka rezistuar dot tentativave të mazhorancës për ta zbutur aksionin opozitar.
Komentet Shehaj i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se ashtu siç ka vjedhje në mazhorancë, ka edhe në opozitë nga ata që vënë interesat personale përpara atyre qytetare.
Ai shtoi gjithashtu se pranonte faktin që korrupsioni nuk ka ardhur me ardhjen e qeverisë aktuale, por ka ekzistuar edhe më parë.
“Do ishte hipokrite nga ana ime që të them që korrupsioni ka ardhur me këtë qeveri. Roli i opozitës është pikërisht që të ofrojë një alternativë ndryshe nga qeveria, t’i rezistojë tentativës së mazhorancës për të blerë opozitën. Kjo nuk ka ndodhur në këto 10 vite.
Opozita nuk i ka rezistuar tentativës nga ana e qeverisë për ta zbutur rolin opozitar. Nuk mund të flasim për të gjithë. Ka dhe do ketë, sepse ashtu siç vjedhin në mazhorancë, vjedhje është edhe në opozitë. Sepse mund të vësh interesin personal përpara interesit qytetar.
/a.d