Shkarkimi i Suella Braverman nga posti i Sekretares së Brendshme në Britaninë e Madhe, a do të gëzojë shqiptarët?
Kjo pyetje lind pasi Braverman me të marrë postin e lartë (të ministres së Brendshme) në qeverinë britanike, “u shpalli luftë” emigrantëve që shkonin me gomone atje, përmes kanalit La Mansh. Pas këtyre deklaratave të ashpra, Braverman u kthye në “makthin” e shqiptarëve, kryesisht të rinj, të cilët prej kohësh ëndërronin Anglinë.
Këta të fundit ajo i cilësoi si “kriminelë dhe pushtues”, që nuk mund të qëndronin në Britaninë e Madhe, deklaratë kjo e cila shkaktoi reagime të shumta, si dhe zemërim tek shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje, por jo vetëm. Këta të fundit u mblodhën dhe protestuan në sheshet e Londrës, për t’i treguar qeverisë britanike se nuk ishin “kriminelë”.
Asokohe kryeministri Edi Rama dënoi retorikën kundër emigrantëve të ish-zyrtares britanike, duke thënë se qeveria e Britanisë së Madhe nuk duhet të fajësojë emigratët punëtorë shqiptarë për dështimin në politikat e emigrimit të paligjshëm.
Por jo vetëm kaq, qeveria britanike më herët hartoi një plan dhe kërkoi që refugjatët e paligjshëm, përfshirë dhe shqiptarët që kërkojnë azil, të dërgoheshin në Ruandë, pasi sipas tyre kemi të bëjmë me “vend të tretë të sigurtë”.
Por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata e Apelit, pasi, sipas gjyqtarëve, Ruanda nuk u konsiderua një vend i sigurt për azilkërkuesit dhe po ashtu shkelej e drejta ndërkombëtare. Edhe marrëveshja e fundit e qeverisë sonë me Italinë për trajtimin e azilkërkuesve po krahasohet për nga ana e të drejtave të njeriut gjithnjë e më shumë me marrëveshjen e Britanisë së Madhe me shetin afrikan.
Shpresojmë që me politikën e re që do të ndjekë Sekretari i ri Britanik, James Cleverly, emigrantët shqiptarë të mos shihen më tej si “delja e zezë” e Britanisë së Madhe. Në fund të fundit krimi nuk ka kombësi dhe britanikët, të cilët shquhen në botë për nga numri, mund të jenë deri diku po aq bashkëfajtorë në kunsumin e lëndëve narkotike dhe çështja mbetet një problem i pazgjidhur nga çdo qeveri e botës perëndimore./ A.Menalla/ Liberale.al