Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i është përgjigjur deklaratave të bëra nga Donald Trump në të cilat ai kërcënoi Moskën me sanksione të mëtejshme nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Në një postim në faqen e tij “Truth Social” mbrëmë, Trump i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin “të ndalojë këtë luftë qesharake”, duke shtuar se ai nuk do të kishte “zgjidhje” veçse të zgjerojë sanksionet dhe të rrisë tarifat për mallrat ruse.
“Është koha për të bërë një marrëveshje. Nuk duhet të ketë humbje jetësh!”, thekson Trump.
Peskov u përgjigj duke thënë se këto kërcënime nuk ishin asgjë e re.
“Trump (në mandatin e parë) ishte presidenti amerikan që përdorte më së shpeshti metodat e sanksioneve. Atij i pëlqejnë këto metoda,” tha Peskov.
Më tej ai shtoi se Moska “mbetet e gatshme për një dialog të respektueshëm reciprok”.