Po vijon me ritme të larta procesi i aplikimit të Diasporës në KQZ për pjesëmarrje në votimet parlamentare të 11 Majit 2025.
Shkon në 50 mijë aplikime (kërkesa) numri i emigrantëve, në vetëm 10 ditët e para të procesit (nisi më 11 Janar).
Mesohet se nga 40,040 kërkesa të shqyrtuara, vetëm 25,295 janë të miratuara, teksa u refuzuan 14,745 të tjerat.
Sipas llogarive, të paktën 1 në 3 persona nuk e ka kuptuar si duhet procesin, por të gjithë ata kanë të drejtë të aplikojnë përsëri deri në 4 mars kur mbyllen regjistrimet. Mbi 590 shqiptarë kanë përdorur një pasaportë apo një kartë identiteti të skaduar, por regjistrimi u është bërë.
Një marrëveshje mes socialistëve dhe demokratëve u arrit ditë më parë në zyrën e kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Damian Gjiknuri në emër të Ramës dhe Oerd Bylykbashi në emër të Berishës, i dhanë dritën jeshile tre ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor dhe një rregullimi që do ta bëjë qeveria.
Pakti kënaq të dyja palët, duke plotësuar kërkesa e shqetësime të tyre si dhe ndihmon KQZ-në, të përshpejtojë punën me votën e diasporës. Në emër të procesit, propozimet ligjore u dërguan në Kuvend nga Komisioneri Celibashi, për 3 çështje. Pjesa e tretë e marrëveshjes, plotëson një kërkesë të opozitës, që është numërimi i votave nga diaspora po nga komisionerë politikë, kur ligji aktual lejonte numërimin e tyre nga KQZ.
Vlefshmëria e kartave të skaduara ID pritet të zgjidhet nga qeveria me akt normativ, pasi nuk realizohet me Kod Zgjedhor.
KQZ raporton se mijëra votues nga jashtë janë refuzuar, edhe pse kanë aplikuar disa herë, pasi nuk kanë provuar si duhet adresën e qëndrimit. Ky është gabimi më i shpeshtë i bërë nga zgjedhësit në Itali, që fotografojnë faqen e parë të dokumentit identifikues italian, dhe jo faqen e dytë, që përmban edhe adresën.