“Do përfundoni skllevër!”, Britania fushatë dekurajuese për shqiptarët: Mos merrni varkat për të kaluar La Manshin

Qeveria Britanike ka nisur një fushatë paralajmëruese për të dekurajuar shqiptarët që të emigrojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar. Fushata përfshin reklama digjitale që do të transmetohen gjatë muajit të ardhshëm në Shqipëri, me qëllim ndërgjegjësimin mbi rreziqet dhe shfrytëzimin që sjell trafiku i paligjshëm i njerëzve, shkruan A2 CNN.

Një nga reklamat tregon historinë e një të riu shqiptar, i cili, pasi u mashtrua me premtime për një punë të paguar mirë, përfundoi duke u shfrytëzuar si “skllav”. Një tjetër rrëfen historinë e një emigranti i cili tregon: “Më thanë se do më duhej të punoja për të shlyer borxhin e udhëtimit, por nuk më thanë sa gjatë ose sa shumë do të paguaja”.

Reklamat mbyllen me mesazhin: “Përpjekja për të hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar mund t’ju kushtojë gjithçka”, duke nxitur qytetarët të marrin informacion të saktë për migracionin e paligjshëm dhe pasojat e tij.

Sipas qeverisë britanike, fushata synon të luftojë “mitet dhe dezinformatat” që trafikantët përdorin për të joshur emigrantët. Në vitin 2022, një rekord prej 12 000 shqiptarësh kaluan Kanalin e La Manshit me varka të vogla, por numri i tyre ka rënë ndjeshëm pas marrëveshjes së kthimit të shpejtë midis dy vendeve.

Bandat kriminale shqiptare përdorin rrjetet sociale, si TikTok, për të rekrutuar punëtorë në fermat e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar. Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, këto grupe po ofrojnë përqindje të fitimeve nga shitjet e drogës në rrugë, në vend të pagave fikse.

“Kjo fushatë synon të prishë modelin e biznesit të këtyre grupeve kriminale dhe të mbrojë njerëzit nga mashtrimet dhe shfrytëzimi”, tha Martin Heëitt, kreu i Komandës së Sigurisë Kufitare në Mbretërinë e Bashkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com