Trump firmos dekretin: SHBA del nga OBSH dhe pakti për klimën

Pas betimit erdhën dhe firmat. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi me qindra urdhra dhe rekomandime ekzekutive për të ndryshuar Shtetet e Bashkuara dhe botën. Fillimisht njoftoi daljen e Amerikës nga marrëveshja e Parisit për klimën, gjithashtu dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ne i paguam 500 milionë dollarë Organizatës Botërore të Shëndetësisë kur isha këtu, dhe unë e ndërpreva atë. Kina me 1.4 miliardë njerëz, ne kemi 350… askush nuk e di se sa jemi sepse kemi kaq shumë njerëz që kanë ardhur ilegalisht. Por le të themi se kemi 325 milionë, ndërsa Kina paguan vetëm 39 milionë”, tha presidenti i ri.

Trump zhbëri mbi 70 vendime të ish presidentit Joe Biden ndërsa zyrtarizoi faljen e rreth 1500 njerëzve që ishin të përfshirë në trazirat e 6 janarit të 4 viteve më parë në Kapitol Hill.

“Kjo ka të bëjë me 6 janarin pra. Ata janë pengje. Rreth 1500 njerëz do të falen tani. Bëhet fjalë për një falje të plotë. Shpresoj që të dalin nga burgu që sonte”, u shpreh ai.

Urdhëroi që TikTok të mos mbyllet edhe për të paktën 75 ditë të tjerë, ndërsa konfirmoi shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin jugor me Meksikën. Përveç urdhrit për nisjen e dëbimeve masive të emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime, Trump nisi dhe procedurën për t’i dhënë fund marrjes së shtetësisë amerikane përmes lindjes në Shtetet e Bashkuara nga emigrantët.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nga zyra ovale kërkoi që vendet e NATO-s të shpenzojnë 5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Sinjalizoi rivendosjen e marrëdhënieve me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong un. Trump gjithashtu konfirmoi se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, por nuk përcaktoi një datë apo vend.

“Zelenski dëshiron që të arrijë një marrëveshje. Nuk e di nëse Putin dëshiron gjithashtu, ndoshta nuk do. Por duhet të bëjë një marrëveshje. Mendoj se po shkatërron Rusinë duke mos bërë një marrëveshje. Mendoj se Rusia do të jetë në telashe shumë të mëdha”, u shpreh Trump.

Mes tjerash paralajmëroi se sanksionet kundër Rusisë mund të shndërrohen në tarifa tregtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com