Një 13-vjeçare shqiptare humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në Itali. Një ngjarje e rëndë që tronditi tërë komunitetin ku ajo jetonte në Lecco, pasi një jetë e re u këput në lule të rinisë.
Të shtunën me qindra njerëz u mblodhën në Kishën e San Nicolo për t’i dhënë lamtumirë Jennifer Alcanit. Ajo që përloti më shumë ishte mamaja e 13-vjeçares, e cila lexoi një mesazh që e kishte shkruar bashkë me babain e të resë që humbi jetën.
“Kam nevojë për një përqafim. Kam nevojë vetëm për përqafimin tënd. Është e vështirë për mua ta pranoj këtë, por e gjej forcën në dashurinë e pafundme që më dhe. Ishe shumë për mua, ishte shumë për ne, ishe shumë për çdo kënd. Ishe një forcë e natyrës. Në këto ditë kur çdo gjë po thyhet në mes, je e vetmja që më jep forcë, që më bën të rezistoj. E di që je këtu. E di që nuk më ke lënë, që më mbron. Zemra jote ndaloi së rrahuri, por e imja s’do ndalojë kurrë së kërkuari ty. Do jetosh përjetë brenda meje dhe babit tënd”, tha e ëma.
“Nëse do të të shikoja edhe për pesë minuta do të të thosha faleminderit. Faleminderit që jeton brenda meje. Ylli ynë i vogël, vdekja mund të na ndajë fizikisht, por kurrë zemrat tona”, përfundoi mesazhi i tyre.
Mes të pranishmëve në ceremoni ishte edhe kryebashkiaku i Lecco-s, Mauro Gattinoni. Ndërsa prifti që mbajti ceremoninë preku po ashtu me fjalët e tij. “Duhet ta duam njëri tjetrin, të ndihemi të bashkuar. Duhet të bëjmë çdo të ri të kuptojë që nuk janë kurrë vetëm”, tha ai.
Pas fjalës së tij, arkëmorti i bardhë doli nga kisha ndërsa me dhjetëra tollumbacë të bardhë e rozë u lëshuan drejt qiellit.
Aksidenti i rëndë
22-vjeçari që i jepte BMW-së ku udhëtonte 13-vjeçarja Jennifer Alcani, po hetohet për vrasje në rrugë. Siç shkruajnë mediat shqiptarja ishte në gjumë në sediljen e pasme kur ndodhi ngjarja. Makina po lëvizte me shpejtësi dhe u përmbys në një rrugë në periferitë e Lecco-s.
Kjo u konfirmua nga një video e bërë nga një 19-vjeçar, pronari i makinës, por pa patentë, i cili udhëtonte po ashtu bashkë me ta. Ka edhe një dëshmitar, i cili ka parë makinën të lëvizte me shpejtësi skëterrë dhe të bënte zigzage para se të përplasej.
Nga ngjarja dy djemtë shpëtuan me dëmtime të lehta. Ndërkohë Alcani vdiq gjashtë ditë më vonë në spital pasi nuk u mbijetoi dot plagëve të rënda. Ajo e kishte lënë shtëpinë pa lejen e mamasë mbrëmjen e asaj nate. Ndërkohë policia po vijon hetimet për të zbuluar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.