“Na vjen keq”, TikTok “fiket” në SHBA!

TikTok nuk priti ditën e përcaktuar, por disa orë para se ligji që e ndalon në SHBA të hynte në fuqi, mbylli funksionin e saj për përdoruesit amerikanë.

Për të gjithë ata që donin të aksesonin aplikacionin kishte një mesazh: “Na vjen keq, TikTok nuk është në dispozicion në këtë moment”.

“Një ligj që ndalon TikTok-un ka hyrë në fuqi në SHBA. Fatkeqësisht kjo do të thotë se nuk mund ta përdorni TikTok-un për momentin”, shkruhej më tej në mesazh.

Por edhe për gjigandin teknologjik ka një shpresë, të cilën nuk kanë ngurruar t’ua shprehin përdoruesve.

“Jemi me fat që Presidenti Trump ka treguar se do të punojë me ne për një zgjidhje për të rikthyer TikTok-un sapo të marrë detyrën”, shkruhet në mesazhin e kompanisë.

Kujtojmë se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka thënë se me shumë mundësi do t’i japë TikTok-ut një pushim 90-ditor nga ndalimi sapo të marrë detyrën të hënën.

“Zgjatimi 90-ditor është diçka që me shumë mundësi do të bëhet sepse kështu është me vend. Nëse vendos të bëj diçka të tillë me shumë mundësi do ta shpall të hënën”, tha Trump të shtunën.

Ndërkohë përdoruesit raportuan se aplikacioni është lëvizur nga dyqanet online të aplikacioneve të Apple dhe Google në SHBA si dhe TikTok.com nuk shfaqte më video.

Gjykata Supreme la në fuqi të premte ligjin që u kalua në Prill të vitit të kaluar që ndalonte TikTok-un në SHBA nëse kompania mëmë e aplikacionit e bazuar në Kinë, ByteDance, nuk e shiste platformën deri të dielën, diçka që nuk ndodhi. Nga ana tjetër TikTok argumentoi se ligji dhunon shprehjen e lirë për 170 milionë përdoruesit e saj në Amerikë.

Pas vendimit, shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, falënderoi Trump për angazhimin e tij për të punuar së bashku me qëllim gjetjen e një zgjidhje. Chew pritet që të marrë pjesë në inaugurimin e Trump të hënën.

Ndërsa disa orë para se platforma të “fikej” në SHBA, krijuesit postuan video ku u thonin mirupafshim ndjekësve të tyre. Nuk janë të paktë ata që do të ndikohen nga ky vendim. Disa për arsye financiare, e disa të tjerë e konsiderojnë si humbje të madhe për komunitetin për shkak të përmbajtjeve edukuese që publikonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com