“Fokusi im letërsia”, Ben Blushi: Nuk besoj se kthehem më në politikë

Shkrimtari Ben Blushi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, deklaroi se nuk do të rikthehet në politikë, duke preferuar të fokusohet tek letërsia.

“Nëse nuk do të kisha dëshirën për të shkruar, ndoshta sot do të isha në politikë. Por jam shkrimtar dhe kjo më jep më shumë kënaqësi. Kësaj i vendos pesë yje”, tha ai.

Blushi foli edhe për procesin e tij krijues, duke theksuar se i përkushtohet shkrimit pa ndërprerje. “Kam një besëtytni që, nëse ndërpres një libër për një kohë të gjatë, ai nuk shkruhet më. Unë shkruaj deri në pesë faqe në ditë. Libri Parajsa e kam përfunduar për vetëm 10 ditë,” zbuloi ai.

Sipas tij, sfida kryesore e shkrimtarëve sot është koha e kufizuar e lexuesve. “Njerëzit janë të zënë me punë, rrjete sociale, fundjava dhe aktivitete të tjera. Kjo bën që shkrimtarët të lexohen më pak,” tha Blushi, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit tek lexuesit e sotëm.

Nëse nuk do të kisha dellin e shkrimtarit, të njeriut që do të shkruajë, sot do të isha në politikë. Nuk besoj se i kthehem më (politikës). Jam shkrimtar dhe do të vazhdoj kështu. Kjo më jep më shumë kënaqësi. Kësaj unë i vendos 5 yje.

Jeta e sotme nuk i ngjan më shkrimtarëve klasikë, çoheshin në mëngjes shkruanin, hanin drekë, shkruanin, siç bënte Ernest Heminguej që zgjohej në 5 të mëngjesit dhe shkruante deri në 12 të drekës. Kam një bestytni të vogël që nëse ndërpres një libër për një kohë të gjatë ai nuk shkruhet më. Kam miq të mi që thonë se e kam bërë këtë libër për 2 vjet, këtë s’e kuptoj dot… Të rrish 2 vjet, 1 faqe në javë… Unë shkruaj deri 5 faqe në ditë. Libri i parë, “Të jetosh në Ishull” më ka marrë më shumë kohë, ka shkuar 6 muaj. Të tjerët më shpejt. Libri që flasim sot Parajsa është shkruar për 10 ditë, shumë shpejt.

Terrori i shkrimtarëve sot është koha e lexuesve. Lexuesit nuk kanë kohë sepse bëjnë shumë punë, merren me kalamajtë, janë rrjetet sociale, sporti, janë weekendet. Dikur nuk kishte weekend, njerëzit flinin në orën 7. Nuk kishte muzikë siç bëjnë sot. Sot shkrimtarët lexohen më pak sepse koha e lirë e njerëzve shkon nëpër këto gjërat e tjera. Prandaj Parajsa është kaq e shkurtër. Para 1 muaji, një shkrimtar gjerman tha ky është libri im i fundit, rreth 1 mijë faqe. Duke e patur vetë këtë stres, i them si mnund ta shkruash, a mund ta lexojë kush? S’e kam problem tha. Kishte bërë libër për një ngjarje në Ballkan. Ndoshta në Gjermani e lexojnë, por në Shqipëri jo”, u shpreh Blushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com