Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar sot me një video-postim ku i bën thirrje hetuesve të thellojnë me kurajo investigimin se kush qëndron pas anijeve me 600 tonë naftë kontrabandë të kapura në Porto Romano në Durrës tre ditë më parë dhe madje thekson se ky aktivitet po bëhet ‘lumë’ nga Afrika Veriore dhe nuk është ky i vetmi rast.
Kur kanë kaluar tre ditë, ligjvënësi shpjegon se nuk është vetëm nga Tunizia dhe Libia, por nga e gjithë pjesa veriore e kontinenti afrikan. Ai thotë se pasi ka pritur për tre ditë, i duhet të ngrejë pyetjet nëse u hetua, kush e shiste, sa fitonte, kush e blinte dhe kush janë autorët që qëndrojnë pas mafias së kontrabandës së naftës.
“Ndiqni naftën, te kuptoni dhe kush është mafia e naftës kontrabandë nga Afrika Veriore! Kurajo, hetoni më tej!”, shprehet deputeti në rrjetin social Facebook.
Braçe shtyn hetuesit të shkojnë deri tek përfituesit dhe të zbulojnë skemën e plotë. Operacioni u krye në datat 13 dhe 14 Janar, ku u sekuestruan 600 tonë naftë.
Postimi i Erion Braçes:
“Trafiku lum, gjithashtu dhe nafta lum. Sot është tre ditë pasi Policia e Shtetit zbuloi linjën e kontabandës së naftës nga Tunizia. Nuk është vetëm nga Tunizia, por nga e gjithë Afrika Veriore.
Çudia më e madhe 3 ditë zgjat!
Dita e tretë dhe pyetja që kam për hetuesit e naftës kontrabandë në Porto-Romano është: hetuat, mësuat, gjetët kush e blinte, kush e shiste, si e shiste, sa fitonte me naftën kontrabandë nga Afrika Veriore, Tunizia dhe Libia?
Hetimet për këtë duhen, për këtë vlejnë. Jo thjesht për të kapur dy anije të linjës së kontrabandës, por për të kapur e ndëshkuar përfituesit. Jo vetëm për të kapur anijet që kanë qenë të përditshme me 400-500 tonë kontrabandë, kanë qenë të përditshme. Në Porto-Romano dhe në Vlorë.
Nuk janë pikat e bardha që organizojnë rrjetin e kontrabandës. Ndiqni naftën, te kuptoni dhe kush është mafia e naftës kontrabandë nga Afrika Veriore! Kurajo, hetoni më tej!”.