Kabineti i Izraelit nuk ka arritur që të firmosë termat e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin. Zyra e kabinetit të Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se një “krizë e momentit të fundit” me Hamasin është duke e vonuar miratimin e një marrëveshjeje të shumëpritur për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve.
“Hamasi refuzon disa pjesë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësit dhe Izraelin në një përpjekje për të zhvatur lëshime në minutën e fundit. Kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa ndërmjetësit të njoftojnë Izraelin se Hamasi ka pranuar të gjitha elementet e marrëveshjes”, thonë nga Zyra e Kabinetit të Benjamin Netanyahut, shkruan A2.
Izzat al-Rashq, zyrtar i lartë i Hamasit, tha se grupi militant është “i përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim, e cila u bë e ditur nga ndërmjetësit”.
Ndërkohë, të paktën 73 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 20 fëmijë dhe 25 gra, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës që nga shpallja e marrëveshjes së armëpushimit.
Zëdhënësi i agjencisë palestineze të mbrojtjes, Mahmud Basal, raportoi për AFP, duke shtuar se 230 persona kanë mbetur të plagosur.
Bombardimet erdhën teksa qytetarët festonin marrëveshjen e arritur pas muajve negociata të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, e që pritet të hyjë në fuqi të dielën. Marrëveshja me të cilën shpresohet t’i jepet fund gjakderdhjes 15-mujore që i mori jetën mbi 46 mijë personave, parashikon një armëpushim fillestar prej 6 javësh me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.
Pengjet e marra nga Hamasi do të liroheshin në këmbim të të burgosurve palestinezë. Në një konferencë për shtyp në Doha, kryeministri i Katarit, sheiku Muhamed Al Thani tha se negociatorët po punojnë me Izraelin dhe Hamasin për ta implementuar atë.
Në rrjetet sociale përdoruesit u bënë thirrje palestinezëve të tregonin kujdes të shtuar me besimin se Izraeli do të intensifikonte sulmet në ditët e mbetura për të rritur në maksimum përfitimet para nisjes së armëpushimit. Por, me t’u bërë publik lajmi për arritjen e marrëveshjes, festa shpërtheu në Gaza, me turmat që bllokuan rrugët, këndonin, kërcënin e valëvisnin flamuj.