Ekonomia më e madhe e Europës tkurret për të dytin vit rresht

Ekonomia e Gjermanisë, më e madhja në Evropë, u tkurr për të dytin vit radhazi në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën, shkruan A2 CNN. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë ra me 0.2% vitin e kaluar, sipas Zyrës Federale të Statistikave të vendit, pas një tkurrjeje prej 0.3% në vitin 2023.

Është hera e parë që nga fillimi i viteve 2000, kur Gjermania po përballej me papunësi të lartë, që ekonomia ka rënë për dy vite radhazi, sipas Carsten Brzeski, kreut global të makroekonomisë në bankën pan-evropiane ING.

Të dhënat vijnë vetëm disa javë përpara një zgjedhjeje të rëndësishme të parakohshme, e thirrur pasi koalicioni qeverisës i Gjermanisë u shpërbë në fund të vitit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën se si të forcohet ekonomia e dobët e vendit. “Shpresa është që çdo qeveri e re gjermane do të vendosë për një plan afatgjatë për reforma dhe investime ekonomike”, tha Brzeski.

Problemet që përballen me ekonominë gjermane pasqyrohen nga kriza te prodhuesi më i madh i vendit, Volkswagen. Në dhjetor, prodhuesi i makinave njoftoi ndryshime të mëdha në operacionet në vendin e tij, përfshirë më shumë se 35,000 shkurtime vendesh pune dhe plane për të zhvendosur një pjesë të prodhimit në Meksikë.

Ashtu si Volkswagen, Gjermania përballet me kosto të larta pune, rritje të dobët të produktivitetit dhe konkurrencë nga Kina. Gjithashtu, nuk mund të mbështetet më te kërkesa e madhe për eksportet e saj në ekonominë e dytë më të madhe në botë, e cila po prodhon gjithnjë e më shumë në nivel lokal shumë nga mallrat që më parë i importonte nga Evropa.

Sipas Brzeski-t, prodhimi industrial gjerman mbetet rreth 10% nën nivelet e tij para pandemisë. Tarifat e mundshme më të larta nga administrata e re amerikane mund ta përkeqësojnë situatën për shkak të ndikimit të mundshëm në eksportet gjermane dhe “efektin në investimet gjermane nëse kompanitë do të zhvendosnin prodhimin në SHBA,” tha ai.

Banka qendrore e Gjermanisë tha muajin e kaluar se stanjacioni ekonomik pritet të vazhdojë këtë vit, me PBB-në që “do të fillojë të rikuperohet ngadalë gjatë vitit 2025.”

Të dhënat për PBB-në nuk premtojnë mirë për ekonominë e gjerë evropiane, e cila ka luftuar për të shënuar rritje të ndjeshme pas pandemisë dhe gjithashtu mund të përballet me një marrëdhënie më të tensionuar me një nga partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat nga zyra e statistikave të Bashkimit Evropian të mërkurën treguan se prodhimi industrial në 20 vendet që përdorin euron u rrit pak në nëntor krahasuar me tetorin. Megjithatë, ai mbetet 9% nën nivelin e tij të shtatë viteve më parë, pjesërisht si rezultat i çmimeve të larta të energjisë të mbajtura nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, sipas Capital Economics.

“Anketat sugjerojnë se prodhimi do të mbetet i dobët gjatë muajve të ardhshëm”, shkroi ekonomisti i Evropës për këtë firmë, Adrian Prettejohn. “Për më tepër, pengesat strukturore me të cilat përballet sektori i automjeteve në Gjermani do të rëndojnë mbi prodhimin industrial të eurozonës për një kohë të gjatë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com