Nuk është ashtu siç duket… “Brad Pitt” i zhvat 830 mijë euro francezes

Naiviteti duke besuar se po fliste me Brad Pitt, solli kohë të vështira për një grua franceze. Një mashtrues online arriti që t’i grabiste asaj një shumë prej 830 mijë eurosh.

53-vjeçarja “e pafat”, Anne, mendonte se prej një viti e gjysmë ishte në një lidhje me aktorin amerikan. Sipas dëshmisë së gruas e gjithë gënjeshtra filloi kur ajo shkarkoi për herë të parë “Instagramin” në vitin 2023, kur ishte ende e martuar me një sipërmarrës të pasur.

Ajo ra në kontakt me dikë i cili pretendonte përmes ekranit se ishte Brad Pitt. “Brad Pitt” i kishte premtuar asaj se do i dërgonte dhurata luksoze, por nuk mundte që të paguante dot doganën e dërgesës pasi llogaritë e tij bankare kishin ngrirë duke qenë se ishte në një proces divorci me Angelina Jolie. Pas kësaj Anne i dërgoi 9 mijë euro.

Por “Brad Pitt” nuk mund të mjaftohej me kaq. Më vonë mashtruesi i dërgon 53-vjeçares foto të bëra nga Inteligjenca Artificiale duke pretenduar se ishte diagnostikuar me kancer në veshka dhe i kërkoi që ta ndihmonte me para që të kurohej.

Kur Anne u nda nga bashkëshorti i saj dhe nga ndarja e pasurisë ajo përfitoi 775 mijë euro, të gjitha shkuan në duart e mashtruesit.

Dashuria i kishte mposhtur logjikën dhe Anne vazhdonte të besonte se ishte duke folur me Brad Pitt-in e vërtetë. Por, kur imazhet e Brad Pitt u shfaqën në revistat dhe faqet e mediave rozë, ku aktori kishte bërë publike lidhjen e tij të re me Ines de Ramon, gjithçka për 53-vjeçaren u shemb. Ishte pikërisht ky moment që i dha asaj shkëndijat e para të një mashtrimi. Pas kësaj Anne bëri denoncimin në polici, e cila aktualisht po merret me hetimin.

Kur kuptoi se kishte humbur të gjitha kursimet, ajo u përpoq 3 herë që t’i jepte fund jetës. Nga ana tjetër, e bija 22-vjeçare ka deklaruar se është përpjekur disa herë që të ndalonte nënën e saj duke i kërkuar që të kthjellohej.

I konsideruar si një skandal, ky rast është bërë kryefjalë e mediave franceze dhe atyre ndërkombëtare. Duke marrë shkak nga kjo në një dalje publike, përfaqësuesi i Brad Pitt tha se ishin të shokuar se si përfitohej nga lidhja e fortë e fansave. Ai tha se njerëzit nuk duhet që t’u përgjigjeshin kontakteve në internet që ishin të pakontrolluara, veçanërisht të personave të famshëm të cilët realisht nuk kanë faqe në rrjetet sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com