Shoqërohet një i dyshuar për vrasjen e Xhemal Metës, djali i viktimës: Mungonte portofoli dhe…

Një person i dyshuar si autor i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Shëngjin të Tiranës është shoqëruar në Policinë e Tiranës dhe po merret në pyetje. Siç raportohet, deri tani nuk ka fletë arresti për të, ndërsa po punohet nga blutë për ta dokumentuar ngjarjen.

Në funksion të ngjarjes po bëhen kërkime për sendet dhe paratë që dyshohet se i janë vjedhur të moshuarit.

Ekspertiza mjeko-ligjore e 81-vjeçarit Xhemal Meta, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij në fshatin “Shëngjin i Vogël”, ka zbuluar se ai është vrarë. Ngjarja, e cila fillimisht u raportua si aksidentale, ka marrë një tjetër drejtim pas hetimeve të kryera. Sipas ekspertizës, i moshuari ka pësuar goditje fatale në pjesën e pasme të kokës, të cilat shkaktuan vdekjen e tij.

Në një intervistë për Euronews Albania, djali i viktimës ka pohuar se familja e tij nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë person. Ai tregoi se babain e gjetën të shtrirë në oborr, të gjakosur dhe pa shenja jete, dhe në fillim dyshuan për një aksident. Xhemal Meta jetonte vetëm në fshatin afër Tiranës dhe gjatë fundjavës vizitonte fëmijët e tij në kryeqytet.

“Kur nuk morëm asnjë përgjigje nga ai mëngjesin e së hënës, u nisëm për në fshat. Rreth orës 10:30 e gjetëm të shtrirë përpara shtëpisë, fillimisht menduam se kishte rënë. Nuk kishim asnjë arsye për të dyshuar për një akt kriminal, pasi ai e kishte pasur marrëdhënien e mirë me të gjithë”, tha djali i viktimës.

Ai shtoi se shtëpia nuk kishte shenja grabitjeje, përveçse mungonte kuleta personale e të atit. “Nuk kemi pasur ndonjë dyshim për ndonjë person, pasi nuk kishim pasur konflikte me askënd. Kjo është një zonë e qetë dhe asnjëherë nuk ka pasur ngjarje të tilla,” u shpreh ai.

Policia ka shoqëruar dhe pyetur 20 banorë të fshatit dhe po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com