Prezantoi “Giro d’Italia”, Rama batuta në Romë: Jam 100% “green”! Përfshirja e Shqipërisë, më duhet si fabul

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të Giro d’Italia në Romë, pasi Shqipëria do të jetë vendi ku do të nisë ky eveniment i njohur ndërkombëtarisht i çiklizmit.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri disa batuta, duke shpjeguar se ndihej i veçantë sepse ishte i vetmi në sallë që përdor vetëm biçikletën si mjet transporti. “Ndihem këtu pak i veçantë, sepse mendoj se jam i vetmi që vozit vetëm biçikletën. Nuk di të ngas makinë apo ndonjë mjet tjetër. Jam 100% ‘green’,” tha ai.

Kryeministri nuk harroi të kujtonte vitet e izolimit të Shqipërisë, duke theksuar se sporti italian ka pasur një ndikim të madh, duke e mbajtur popullin shqiptar të vetëdijshëm për jetën jashtë kufijve të vendit. “Sporti italian ka një influencë të veçantë te ne, jo vetëm për sportin, por për një jetë tjetër. Ne kemi qenë plotësisht të izoluar. Shqipëria ishte si Koreja e Veriut e Europës. Deti ishte bosh dhe nuk mund të lëvizte askush. E vetmja mundësi për të parë botën tjetër ishte përmes radios ose televizionit.”

Rama kujtoi emocionet e tifozërisë për Giro d’Italia gjatë periudhës së izolimit: “Mbaj mend kur ndiqnim Giro d’Italia, bënim tifo pa ditur saktësisht se çfarë po ndodhte. Sporti italian na ka ndihmuar të jemi gjithmonë të vetëdijshëm se pas detit ka jetë, ka një botë tjetër.”

Në fund, ai shprehu mirënjohjen për mundësinë që Shqipëria të jetë pjesë e këtij momenti historik, duke theksuar se ishte një ndjesi e jashtëzakonshme për të. “Të jem sot këtu, duke e parë Shqipërinë të përfshirë, duket si një fabul, sepse flas për diçka që kam jetuar vetë, por edhe për atë që kam lexuar,” përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com