Një nga çështjet për të cilat është kritikuar më shumë qeveria Rama është ajo e emigracionit masiv nga Shqipëria, për të cilën deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, foli në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Deputetja e PS-së u shpreh e bindur se të rinjtë po largohen nga Shqipëria për një shkollim më të mirë.
“Çështja e lëvizjes së njerëz nuk është një çështje e re dhe nuk është një çështje që lidhet me pushtetin e Partisë Socialiste. Fenomeni i largimit nga Shqipëria nuk ka filluar në vitin 2013. Unë jam pjesë e një grupi parlamentar që quhet grupi për popullsinë dhe zhvillim. Kam dëgjuar ekspertë dhe demografë për të kuptuar dhe arsyet e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Censi ishte një rast shumë i mirë për të kuptuar se cilat janë arsyet e lëvizjes së shqiptarëve.
Në fakt, ajo lëvizje e shqiptarëve po ndodh për një shkollim më të mirë dhe kjo është një gjë shumë e mirë sepse nuk po lëvizin për shkak të ekonomisë më shumë sesa për një shkollim më të mirë. Kjo është arsyeja që na ofrojnë ata që njohin perspektivat e lëvizjes migratore”, tha Felaj në emisionin “Off the Record”.