Pas miratimit nga Dhoma e Deputetëve e projektligjit për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore mes Italisë dhe Shqipërisë, SCAN tv mëson se Projektligji C.1916 A, arriti në Senat dhe mban numrin S.1340. Janë rreth 500 mijë shqiptar që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
Ambasada Italiane në Tiranë thekson se mirëpresin një hap tjetër të rëndësishëm në lidhje me Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes dy vendeve, e firmosur në Romë më 6 shkurt 2024 nga Ministri i Jashtëm, Z. Tajani dhe homologu i tij shqiptar, Z. Hasani.
Teksti i miratuar njëzëri nga Dhomat e Deputetëve, do të kalojë tani në dhomën tjetër të Parlamentit për miratim, siç parashikohet nga rendi juridik italian për kalimin e një ligji. Pasi të miratohet pa ndryshime, do të mbeten vetëm shpallja nga Presidenti i Republikës dhe botimi në Flotoren Zyrtare.
Marrëveshja thekson Ambasada Italiane, do të shënojë një arritje shumë të rëndësishme për punonjësit e të dy shteteve, pasi do të rregullojë përfitimet pensionale dhe ndihmën për papunësinë, sëmundjen dhe shtatzëninë, për ata që ushtrojnë ose kanë ushtruar një aktivitet të punësuar ose të pavarur nē tē dy shtetet.
Dy vendet firmosën marrëveshjen për sigurimet shoqërore pas 15 vitesh negociata, nga e cila do të përfitojnë pensione shqiptarët që punojnë në Itali, por dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.