Rreth 600,000 venezuelas dhe më shumë se 230,000 nga El Salvadori që tashmë jetojnë në Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë ligjërisht për 18 muaj të tjerë, ka bërë të ditur Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Vendimi vjen një javë përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën, i cili ka deklaruar se do të vendosë politika të ashpra emigracioni. Administrata Biden ka mbështetur fuqimisht Statusin e Mbrojtur të Përkohshëm. Ky fundit lejon individët që ndodhen në SHBA që të qëndrojnë dhe punojnë aty në rast se atdheu i tyre konsiderohet i pasigurtë, për shkak të fatkeqësive natyrore, konflikteve të armatosura apo ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme.
E ardhmja e programit të Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme është e pasigurt nën drejtimin e Presidentit Trump, i cili u përpoq të kufizonte ndjeshëm përdorimin e tij gjatë mandatit të parë si president. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare zgjati afatin e qëndrimit në SHBA edhe për 103 mijë shtetas nga Ukraina dhe 1900 nga Sudani, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Venezuelasit janë një nga përfituesit më të mëdhenj dhe qëndrimi i tyre zgjatet nga prilli 2025 deri në tetor 2026. Njoftimi erdhi pasi Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro mori detyrën për një mandat të tretë gjashtëvjeçar dhe bazohet në emergjencën e rëndë humanitare me të cilën vendi vazhdon të përballet për shkak të krizave politike dhe ekonomike.