E reja telefonoi policinë se ishte dhunuar dhe u ngujua, policia jep detaje për ngjarjen e djeshme në Astir: Mes të kërkuarve edhe një 40-vjeça

Zyrtarisht policia ka shpallur në kërkim 4 persona për ngjarjen e djeshme në Astir ku një telefonatë e bërë nga S. Q, 26 vjeçe, me pretendimin se ishte dhunuar nga disa persona, ngriti në këmbë blutë e kryeqytetit.

E reja më pas u ngujua në apartamentin e marrë me qira në zonën e Astirit, ndërsa forcat RENEA arritën të futen në banesën e saj duke zbritur me litar nga tarraca. Në apartament u gjetën dy armë zjarri pistoletë, jelekë antiplumb, alkool si edhe u zbuluan shenja të konsumimit të lëndëve narkotike.

Njoftimi i Policisë

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.

Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com