Ballkani në planet e Trump? Bolton: Tony Blair më nxiti të mbështesja ndryshimet e kufijve

Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk pritet të jetë në vëmendjen e administratës së re amerikane. Kështu mendon ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare gjatë administratës së parë Trump, John Bolton.

Në një intervistë për gazetën Ekspress në Kosovë, njeriu kyç gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi për shkëmbimin territorial, tha se, SHBA ka një interes në këtë rajon dhe se administrata e re duhet të jetë serioze.

“Mendoj se duke pasur parasysh konferencën për shtyp në Mar-a-Lago, mund të shihet se disa çështje të Hemisferës Perëndimore kanë dalë në pah, dhe sa prioritet do t’i jepet Ballkanit në ditët e para është e vështirë të thuhet.

Nëse administrata është serioze për të arritur marrëveshje midis palëve në rajon që të jenë të përhershme, do të ishte e rëndësishme. Përndryshe, të huajt që nuk kanë interes për paqe dhe stabilitet në rajon do të ndërhyjnë, dhe ajo që tashmë është e ndërlikuar mund të bëhet edhe më keq”, thotë Bolton.

Sa i përket historikut të idesë së korrigjimit të kufijve, Bolton thotë se nuk e di nga ka buruar fillimisht ideja, por thotë se personalisht me idenë është ballafaquar kur ish-kryeministri britanik Tony Blair e kishte vizituar në Shtëpi të Bardhë dhe ia kishte përmendur këtë temë, shkruan A2 CNN.

“Nuk e di se nga ka filluar origjina e kësaj çështjeje. Biseda ime e parë që përfshinte mundësinë e shkëmbimeve territoriale ishte me Tony Blair. Ai erdhi për të më vizituar në Shtëpinë e Bardhë. E njihja që kur ai ishte kryeministër gjatë administratës së George W. Bush-it, dhe ai më nxiti të përfshihesha për të parë nëse mund të isha i dobishëm”, shprehet më tej Bolton.

Sakaq, Bolton theksoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të kenë qenë afër një marrëveshjeje në vitin 2020, por parlamentet e tyre, dhe veçanërisht ai i Kosovës, nuk ishin gati ta miratonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com