“Gjykata e Lartë i dha të drejtë qeverisë”, Meloni jep lajmin: Gati të bëjmë operative qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni thotë se vendi i saj është gati për nisur dërgimin e emigrantëve në qendrat e pritjes në Shqipëri.

Ajo i bëri komentet gjatë një konference me gazetarët, ku u shpreh se vendimet e Gjykatës së Lartë i japin të drejtë qeverisë së saj për të përcaktuar vendet e sigurta.

“Gjykata e Kasacionit thotë se i takon qeverisë të përcaktojë se cilat janë vendet e sigurta dhe se rrjedhimisht gjyqtari nuk mund të zbatojë sistematikisht ndalimin e emigrantëve, që vijnë nga ato vende, por në vend të kësaj mund të justifikojë rastin konkret pse një person, për një arsye specifike, nuk është i sigurt nga vendi që vjen, gjë që është krejtësisht e ndryshme nga ajo që bënë magjistratët e Gjykatës së Romës, të cilët nuk hynë në themel të çështjes,” u shpreh kryeministrja Meloni.

Ndërkohë ajo theksoi se hyrja e emigrantëve në Itali u ul me 60 për qind vitin e kaluar, ndërsa javët e fundit pothuajse është zeruar.

Lidhur me komentet e fundit të Donald Trump, kryeministrja italiane hodhi poshtë spekulimet se Shtetet e Bashkuara mund të përdorin forcën për të marrë Groenlandën ose Kanalin e Panamasë, duke thënë se komentet e Trump synojnë t’i japin një mesazh Kinës.

“Ndiej se duhet të përjashtoj mundësinë që Shtetet e Bashkuara vitet në vijim do të përpiqen të aneksojnë me forcë territoret që i interesojnë. Ato janë dy territore, ku ne kemi qenë dëshmitarë që vitet e fundit ka pasur një interes në rritje nga ana e Kinës,” tha Meloni.

Liderja e ekstremit të djathtë në Itali shtoi gjithashtu se nuk pret që presidenti i ardhshëm amerikan të braktisë Ukrainën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com