Gazetarja Aida Topalli ka folur lidhur me masakrën e Dobraçit ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe 2 kalimtarë të rastësishëm çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha.
Ajo deklaroi se së shpejti pritet dhënia e 5 masave të sigurisë për persona konkretë të organizatës kriminale dhe autorëve të ngjarjes. Gazetarja tha gjithashtu se shumë shpejt hetimet do të finalizohen pasi çështjen e ka marrë ‘në dorë’ SPAK.
“Në këto ngjarje që krijojnë, kemi edhe qytetarë të pafajshëm që vriten apo plagosen, si rasti i masakrës së Dobraçit. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës i kanë dërguar një dosje të kopsitur mirë SPAK-ut për grupet e Shkodrës dhe meqë Prokuroria e Posaçme e mori nën kontroll dosjen, do ketë një finalizim, pasi janë mbledhur më shumë prova dhe ka emra konkretë. Janë të paktën 5 persona me masë sigurie për atentatin ndaj Licëve në Dobraç, ku u vra edhe çifti Basha (të pafajshëm). Shumë prej vrasjeve kanë mbetur pa autorë ndër vite dhe u desh SKY ECC, kurse në rastin e Dobraçit është zbardhje rekord e një krimi të rëndë, jo se nuk ka pasur të tjera”, tha Topalli për “Report Tv”.