Kabina elektrike e një pallati në lagjen Besëlidhja të Lezhës është përfshirë nga flakët pasditen e sotme.
Banorët kanë dalë të frikësuar nga banesat për shkak se tymi depërtoi brenda ambienteve, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
Zjarrfikësit ndërhynë për të nxjerrë nga ballkonet e tyre disa banorë pasi kalimi nga shkallët ishte i vështirë. Për shkak të këtij incidenti, u shkëput energjia elektrike ndërsa zjarrfikësit vunë nën kontroll flakët për normalizimin e situatës.
Disa pallate kanë mbetur pa energji dhe grupet e OSSHE janë duke punuar për rikthimin e energjisë. Dyshohet se shkak është bërë një shkëndijë elektrike në kabinën që ndodhet në bodrumin e pallatit dhe më pas solli edhe përhapjen e flakëve brenda saj.