“Nuk është faturim me fasha, por me konsum”, Balluku për uljen e çmimit të energjisë: Moment historik!

Zv/Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një konferencë për mediat për çmimin e ri të energjisë elektrike së bashku me Kryeministrin Edi Rama sqaruan detaje nga ky vendim.

Balluku u shpreh se çmimi i ri i energjisë elektrike nuk është faturim mbi fasha, por mbi bazë konsumi.

Belinda Balluku:Nuk bëhet fjalë për një fashë, pasi ndryshe nga fashat të cilat janë faturim në nivele të ndryshme të konsumit ne flasim për një kategori konsumi, pasi në bazë të saj ky vendim vjen për shkak të eficencës së energjisë elektrike.

Ne sot një nga kërkesat dhe targetet kryesore që kemi është eficenca, ulja e konsumit dhe eficenca financiare për konsumatorin si familjar dhe atë industrial. Ne kemi një faturim me dy kategori konsumi. E para nga 1-700 KWH në muaj do të vlerësohet dhe do të paguhet me 8.5 Lekë në KWH, ndërkohë që nëse do ta kalojmë në 701 KWH, e gjithë fatura do të paguhet me çmimin që kemi sot 9.5 Lekë për KWH. Nuk është faturim me fasha është faturim me konsum.

Nga ana tjetër ne kemi bërë një analizë shumë të detajuar edhe të abonentëve që preken, kështu konsumi mujor i abonentëve nga 0-700 KWH është i barabartë me 1 milion e 70 mijë abonentë që ne kemi të regjistruar në OSHEE. Konsumi nga 201-300 KWH i aplikuar në vitet 2005, 2006-2013 i referohet vetëm 10.5% ose 120874 abonentë krahasuar me 1 milion e 70 mijë abonentëve që do të përfitojnë.

Diçka që dua të ndaj me ju janë edhe kostot që do të ndërmeren nga OSHEE për të ruajtur këtë nivel qoftë teknike apo financiare. Ju e kuptoni që në procesin e uljes së çmimit faturimi do të jetë një nga aksionet më të rëndësishme pasi duhet ruajtur. Faturuesit duhet të jenë në terren dhe do të jenë të detyruar të bëjnë matjen për 30 ditë për muajt me 30 ditë apo për 31 ditë për muajt me 31 ditë për të qenë të saktë dhe për tu ulur në minimum numrin e ankesave për mbifaturime. Nga ana tjetër ne tashmë jemi në prag të firmosjes së kontratës me agjencinë franceze e cila operon tashmë prej dy apo tre vitesh në Shqipëri sa i përket financimit për matësit inteligjent qoftë kjo për nënstacionet tona, për kabinat dhe më pas për të gjithë abonentët familjarë dhe ata privat.

Balluku ndër të tjera u shpreh se ulja e çmimit të energjisë është një moment historik që kurorëzon një punë të madhe.

“Duhet të theksojmë se gjithë kjo ulje prej 8.5 Lekësh korrespondon me 3.1 miliardë Lekë në vit nga OSHEE që shkon në lehtësim për familjet shqiptare. E gjithë kjo paketë sigurisht që do të përballohet më një bashkëpunim të ngushtë mes kompanive shtetërore të sektorit të kooridnuara nga ministria e Energjetikës. Moment historik për sektorin energjitik që kurorëzon të gjithë impenjimin, strategjinë dhe implementimin e kësaj strategjie dhe i falenderoj të gjithë për punën e kryer dhe më shumë për koordinimin që ka sjellë një bashkërendim duke na e lehtësuar procesin dhe duke na bërë shpresëplotë që pavarësisht planeve tona agresive për investime ne ja dolëm që të ulim çmimin për familjarët, por nga ana tjetër të planifikojmë fasilitete më të mëdha”, tha Balluku.

Ndërkohë kujtojmë se ditën e sotme, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë. Çmimi i ri i energjisë ulet nga 9.5 Lekë në 8.5 Lekë për konsumin 700 KWH, pra ulet me 1 Lek. Ndërsa për konsumin mbi këtë fashë tarifa do të jetë e pandryshuar, 9.5 Lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com