Donald Trump, menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit Justin Trudeau riktheu propozimin që i kishte bërë, ndoshta jo tërësisht si shaka një muaj më parë, që Kanadaja të bëhet shteti i 51 i Amerikës.
Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump shkroi se “shumë njerëzve në Kanada do u pëlqente të ishin shteti i 51-të i SHBA”.
Ai shton se “Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbajnë më deficitet e mëdha tregtare dhe subvencionet që Kanadasë i duhen për të shpëtuar nga fundosja”.
Sipas Trumpit, Justin Trudeau e dinte këtë dhe ndaj dha dorëheqjen. “Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të reduktoheshin shumë dhe ata do të ishin ABSOLUTISHT TË SIGURT nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë Kombi i madh do të ishim!!!”, shkroi Presidenti i sapozgjedhur.
Deklaratat e Trump vijnë jo më shumë se një muaj nga takimi i tij me Trudeau, i cili fluturoi për në Florida pas kërcënimeve të tij për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë.
Pastaj Trump e vuri në lojë Trudeaun duke e quajtur guvernator si krerët e shteteve amerikane, në vend të titullit kryeministër që ai ka.
“Do të jem i lumtur të shoh sërish Guvernatorin së shpejti, për të vazhduar diskutimet tona të detajuara mbi tarifat doganore dhe tregtinë, rezultatet e të cilave do të jenë vërtet spektakolare për të gjithë!”, shkroi asokohe Trump në Truth Social.
Fox News ndërkohë raportoi se gjatë takimit, Donald Trump i sugjeroi Trudeau se nëse Kanadaja nuk mund të përballonte tarifat prej 25%, ajo mund të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së.