Personi, që është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop”, është 33-vjeç i akuzuar dhe dënuar për shkatërrim prone. Ai tregon, se si pasojë e një konflikti që nisi në rrjetet sociale, me një përdorues të panjohur më parë, qëndroi fillimisht në paraburgim për disa ditë e më pas masën e sigurisë e kreu në banesë. Por ai pretendon se nga një person që ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi u kanos dhe u dhunua nga dy persona, në përfundim u mor i pandehur.
“Kam pasur një debat në rrjetin social TikTok ku një person i panjohur më është drejtuar me fyerje dhe sharje, nuk e njihja. Unë i kam thënë që jetoj në Xxx vend dhe nëse ke gjë mund të më takosh dhe të sqarohemi. Unë kam qenë live, kur vjen një makinë e më pret rrugën, dy persona të maskuar dhe më sulmuan direkt me armë të ftohta siç është leva, kriku i makinës dhe unë në ato momente kam reaguar për vetëmbrojtje, pastaj ata janë larguar nga vendngjarja. Unë kam pritur, kam thirrur policinë dhe i kam lënë të gjitha provat aty. Kam shkuar të denoncoj, kam denoncuar. Policia ka marrë dhe deklaratën e dëshmitarëve që kanë qenë. Ka qenë prokuror Enkled Gjini ku ka kërkuar arrestimin me burg, pastaj unë jam futur në burg dhe çështja e konfliktit është hequr dhe është lënë vetëm shkatërrimi i pronës. Unë nuk e kuptoj arsyen. Gjykimi i shkurtuar që është dhënë ishte 4 muaj e 20 ditë”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.
Sipas denoncuesit, gjithçka po transmetohej drejtpërdrejt në rrjet. Ai ka vazhduar të largohet, por e ka pasur të pamundur. Ka zbritur dhe i ka rrëmbyer levën njërit prej tyre dhe konflikti i dhunshëm ka vazhduar për disa minuta në prani të dëshmitarëve të tjerë. Pas kësaj është njoftuar policia dhe 33-vjeçari ka pritur aty, ndërsa dy të tjerët gjetën një mjet dhe u larguan nga vendngjarja.
Në fund të të gjithë kësaj historie, u dënua 33-vjeçari si dhe personi tjetër, të dy për shkatërrim prone ndërsa i habitshëm është fakti se nuk është parë të jetë punuar në asnjë moment për personin e tretë, që gjithashtu është pjesë e këtij konflikti.