Papa Françesku ka hapur Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke nisur zyrtarisht Jubileun që do të zgjasë deri më 6 janar 2026. Ceremonia nisi me lutjet e para, pas të cilave Papa u largua për pak çaste dhe më pas u kthye në atriumin e Bazilikës. Me ndihmën e një pedane dhe duke qenë në karrocë, ai arriti te Porta e Shenjtë, ndërsa kori këndonte në latinisht: “Haec porta Domini…”, duke shpallur portën si vend hyjnor.
Papa qëndroi për disa sekonda në heshtje para Portës dhe e preku atë lehtë, duke shënuar fillimin e këtij akti simbolik. Porta u hap nga dy ndihmës brenda Bazilikës, ndërsa kambanat e Vatikanit nisën të bien në shenjë feste. Brenda Bazilikës ndodheshin rreth 6 mijë persona, ndërsa jashtë saj ishin mbledhur mbi 25 mijë besimtarë.
Pas hapjes së Portës së Shenjtë, Papa Françesku u drejtua te altari i rrëfimit të Shën Pjetrit për të kremtuar meshën e vigjiljes së Krishtlindjes. Në homelinë e tij, Papa theksoi rëndësinë e shpresës.
“Vëllezër dhe motra, me hapjen e Portës së Shenjtë kemi nisur një Jubile të ri: secili prej nesh mund të hyjë në misterin e këtij lajmi të hirit”, tha ai.
Ai e cilësoi natën e Krishtlindjes si momentin kur “porta e shpresës është hapur për botën”, duke i ftuar të gjithë të rigjejnë shpresën e humbur. Papa Françesku nënvizoi se është thelbësore të mbillet shpresa në “desolimet e kohës sonë”, duke iu referuar situatave të rënda si luftërat, vrasjet e fëmijëve dhe bombardimet mbi shkolla dhe spitale, përfshirë ato në Gaza.
“Ne, dishepujt e Zotit, jemi të thirrur të gjejmë në të shpresën tonë më të madhe dhe ta sjellim atë si pelegrinë drite në errësirën e botës,” tha Papa. Ai bëri thirrje për një përkushtim konkret të besimtarëve në transformimin e botës, në mënyrë që ky të bëhet një kohë e vërtetë jubilare.
“Le të jetë një kohë hiri për Nënën Tokë, të dëmtuar nga logjika e fitimit; për vendet e varfra, të ngarkuara me borxhe të padrejta; për të burgosurit e skllavërive të vjetra dhe të reja,” theksoi ai. Papa Françesku shtoi se Jubileu duhet të sjellë shpresë për ata që ndihen të lënduar, të tradhtuar apo të dështuar në jetë.
Ai veçoi vuajtjet e të burgosurve, jetën e vështirë të të varfërve dhe plagët e shkaktuara nga luftërat dhe dhuna, duke bërë thirrje për një përkushtim të gjithanshëm për t’u sjellë atyre shpresë.