Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaron se ndalimi i TikTokut për të paktën një vit në Shqipëri nuk është një reagim i nxituar.
Lidhur me vendimin që u mor pas vrasjes së adoleshentit Martin Cani, nisur nga një sherr në rrjete sociale dhe pas një turneu të gjatë këshillimi me prindërit shqiptarë, ministri risjell në kujtesë ngjarjet e rënda që shërbyen si “kambana alarmi” për të shmangur tragjedi që e kanë zanafillën nga talljet, shantazhet dhe abuzimi në rrjete sociale.
“Sa herë ka ndodhur një ngjarje e rëndë me humbje jete të personave të shantazhuar, bullizuar, dhunuar online, në këto banaqet e darkës gara mes të ftuarve ka qenë kush t’i gjejë defektet dhe ngrejë akuza TikTokut” shkruan Balla në mesazhin e tij në Facebook, shoqëruar me pamjet e një kronike televizive që i përket ngjarjes së rëndë të vetëvrasjes së një të reje në Kamëz, për të cilën u arrestua një person me precedentë, Altin Çoku i cili njihet tashmë si “shantazhuesi i Tik Tok-ut”.
“Është fakt se kjo platformë nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve” sqaron ministri Balla, duke kritikuar atë pjesë të opinionit që i është hedhur në mbrojtje platformës kineze të krijimit të videove të shkurtra, e cila nisi të përdoret me shpejtësi në kohën e pandemisë.
“Sonte po shoh t’i qajnë hallin TikTokut, aspak viktimave. Nuk çuditem. Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i duhur që gëzon mbështetjen e një shumice dërrmuese mes komuniteteve të prindërve dhe shoqërinë shqiptare” përfundon postimi i Ballës bashkë me pyetjen se cili ishte mendimi i ndjekësve.
TikTok është vënë nën lupë në shumë vende të botës, për shkak të shkeljeve të privatësisë së të dhënave, shqetësimeve të lidhura me shëndetin mendor, keqinformimit, përmbajtjes fyese dhe rolit të luajtur gjatë luftës Izrael-Hamas. Në shumë raste shtetet kanë gjobitur, ndaluar ose janë përpjekur të kufizojnë TikTok për të mbrojtur fëmijët ose për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare mbi mbledhjen e mundshme të të dhënave të përdoruesve nga qeveria kineze përmes ByteDance, kompanisë që e zotëron Tik Tok.