Dy shqiptarë të akuzuar për vjedhje janë arrestuar nga policia greke në Athinë.
Dy të arrestuarit, të moshës 29 dhe 52 vjeç, operonin të paktën që prej muajit shtator.
Zakonisht vjedhjet i kryenin në mëngjes dhe pasdite.
Ata merrnin automjete me qira dhe thyenin dyert e shtëpive duke përdorur çelësa.
Ata vëzhgonin shtëpitë për disa kohë dhe shpërndanin fletëpalosje reklamuese, për të mos ngjallur dyshime te banorët.
Dy shqiptarët, sipas mediave greke, përdornin një aplikacion të koduar mesazhesh për të komunikuar me njëri-tjetrin.
Sipas informacioneve, në fund të shtatorit, viktimë e këtyre hajdutëve kishte rënë edhe një punonjës policie. Konkretisht, pasi kanë hyrë në shtëpinë e tij në Halandri, kanë kontrolluar të gjitha ambientet dhe kanë marrë bizhuteritë që kanë gjetur, si dhe armën e shërbimit.
Në total janë zbuluar 14 raste vjedhjesh në shtëpi në Cholargo, Papagou, Neo Psychiko, Agia Paraskevi, Chalandri dhe Ampelokipi, ndërkohë që përfitimi financiar total nga aktiviteti i tyre kriminal e kalon shumën monetare prej 195 mijë euro.
Nga kontrollet e kryera në shtëpitë e tyre, ndër të tjera, janë gjetur dhe konfiskuar:
- 58150 euro,
- 8,550 USD,
- shumëllojshmëri bizhuterish, ora, syze dielli dhe çanta,
- shumë mjete dhe çelësa hajduti,
- pistoletë lodër,
- 2 thika,
- veshjet e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe
- telefonat celularë.