Në seancën e përbashkët parlamentare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha para deputetëve se Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë.
Sipas Ramës, Prishtina zyrtare duhet ta synojë normalizimin e marrëdhënieve duke shkëputur reciprocitetin nacionalist me Serbinë dhe të vazhdojë dialogun me Bashkimin Europian për t’i treguar që Kosova ka vullnetin për të qenë pjesë e familjes euro-atlantike.
“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim ku ç’nuk kam parë dhe ç’nuk kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë e me aleatët e me jo dashamirësit tanë se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë, dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me BE-në duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në. E thënë ndryshe Kosova mund t’ia japë familjes europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në një kohë të shkurtër provën e padiskutueshme vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Europës së bashkuar dhe të NATO-s duke përmbushur uniliteralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin. Nuk ka asnjë arsye që BE dhe SHBA të përpiqen të bindin Kosovën për qenien e saj organikisht të lidhur me BE dhe SHBA ashtu sikundër nuk ka arsye që Kosova të presë çfarë do bëjë Serbia për të bërë ajo pastaj hapat e saj drejt BE dhe NATO. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot 25 vjet më vonë duhet ta lejë në bisht Serbinë. E them këtë jo për t’i dhënë Kosovës në asnjë mënyrë një leksion, por një opinion vëllazëror dhe konstruktiv për mënyrën si mësimet e integrimit në njërin vend mund t’i vlejnë dhe vendit tjetër që të mos kemi pësime historike kur sot fatin tonë të përbashkët kombëtar e kemi që të gjithin në duart tona”, u shpreh Rama.