Autoritetet në Durrës kanë konfiskuar pronat e Alket Hatijas, të cilësuarit nga mediat italiane si “Zoti i drogës”, i cili u arrestua në vitin 2021 me qëllim ekstradimin drejt vendit fqinj.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruar ka ekzekutuar vendimin e GJKKO, duke konfiskuar disa pasuri të paluajtshme, të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij.
Më konkretisht janë sekuestruar: 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë.
Hatija ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane me 20 vite burg, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas hetuesve gjatë periudhës 2003-2004, ai ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.
Hatija akuzohej se kishte trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).
Edhe pse kishte vuajtur 16 vite burg në Shqipëri për trafik droge, ato nuk ju njohën në Itali, pasi nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve.