Mbahet këtë të mërkurë (18 dhjetor) në Bruksel, samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor, në fokus të së cilit është forcimi i partneritetit mes vendeve përmes edhe integrimit gradual të rajonit në disa prej politikave ndërkombëtare.
Ky është samiti i parë i thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa i cili kujtojmë se vetëm tre ditë pas mandatit, shtroi një darkë informale për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, risjellim në vëmendje se një ditë më parë, Shqipëria hapi grupkapitullin e VI të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një përparim ky i duartrokitur e vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë sa i përket samitit të sotëm në Bruksel, ai do të ndahet në dy sesione dhe rëndësi do i kushtohet bashkëpunimit politik dhe ekonomik BE-Ballkani Perëndimor.
Plani i rritjes për rajonin, thellimi i angazhimeve politike të BE-së me Ballkanin Perëndimor në fushën e politikës së përbashkët dhe të sigurisë, bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë, lufta në Ukrainë dhe ndikimin hibrid të Rusisë në vendet e rajonit, do të jenë disa nga temat të cilat do të trajtohen në samitin e sotëm.