Wang Yi, ministër i punëve të jashtme të Kinës dhe Emmanuel Bonne, këshilltari diplomatik i presidentit francez, zhvilluan të shtunën në Pekin raundin e 26-të të Dialogut Strategjik Kinë-Francë. Të dy palët diskutuan gjatë e në mënyrë të thelluar dhe arritën unanimitet të gjerë mendimesh mbi zbatimin e konsensusit të rëndësishëm mbi thellimin e bashkëpunimit strategjik Kinë-Francë.
Bashkëbiseduesit nënvizuan se Viti i Kulturës dhe i Turizmit Kinë-Francë u zhvillua me sukses, duke përfshirë mbi 100 aktivitete, që krijuan një atmosferë entuziaste. Janë intensifikuar shkëmbimet njerëzore, duke forcuar lidhjet miqësore. Bashkëpunimi praktik ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar bashkërendim edhe në çështjet shumëpalëshe. Të dy vendet kanë mbajtur qëndrime të përbashkëta lidhur me sfidat globale, si inteligjenca artificiale dhe qeverisja e oqeaneve, si edhe për çështjet e nxehta si Lindja e Mesme, duke demonstruar përgjegjësinë e të dy vendeve si fuqi të pavarura dhe të mëdha.
Të dy palët theksuan dëshirën për forcimin e bashkërendimit shumëpalësh, duke u përballuar së bashku me sfidat globale, si ndryshimet klimatike, biodiversiteti, zhvillimi i qëndrueshëm dhe zhdukja e varfërisë. Franca vlerëson rolin kyç të Kinës në arritjen e Marrëveshjes së Parisit dhe shpreson që viti i ardhshëm, si përvjetori i 10-të i kësaj marrëveshjeje, do të shërbejë si mundësi për të çuar më tej përpara qeverisjen globale të klimës, duke treguar rolin udhëheqës të të dy vendeve.