Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi akuzohen për të paktën 6 grabitje të kryera në zonat e Dukatit, Radhimës dhe Orikumit.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rulot,” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: J. S, 26 vjeç, banues në Orikum dhe G. G., 38 vjeç, banues në Dukat”, informon policia.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dyshja e grabitësve më datë 14.12.2024, kanë vjedhur në fshatin Dukat një shumë prej 700 euro dhe 25,000 lekë në banesën e shtetases R. I, si dhe një rulot (camper) në pronësi të shtetasit A. C, i cili u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së hajdutit 38-vjeçar.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ata dyshohen si autorë të 4 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 3 muajve te fundit. Më konkretisht dy grabitësit kanë vjedhur disa koshere bletësh në Radhimë e Llogara dhe disa bagëti në zonën e Radhimës dhe Orikumit.