Nga Preç Zogaj
Në përgjigje të një pyetjeje rutinë, kryetari i PD-së, Sali Berisha përsëriti se partia e tij do të bëjë koalicion me të gjitha partitë që duan largimin e qeverisë së Ramës. Po të ishte vetëm opozitarimi çështja, problemi do të kishte lindur i zgjidhur. Partitë opozitare të vendosura djathtas, në qendër apo edhe në majtë të spektrit bëjnë opozitë sepse duan largimin e qeverisë. Përndryshe do të ishin aleatë të saj.
Në të kaluarën, falë kodit elektoral dhe ndryshimeve të papërfillshme programore, bashkimi elektoral nën një ombrellë i PD-së dhe partive satelite të saj ka patur sens. Votat e secilit subjekt numëroheshin dhe shkonin pa firo në një thes. Të voglat merrnin pjesën e tyre të përfaqësimit në Kuvend. Apo në Qeveri kur fitonin zgjedhjet.
Nga zgjedhjet e vitit 2021 e këndej ky lloj bashkimi ka disa pengesa të reja që nuk i ka patur. E para, është ndalimi me kushtetutë i koalicioneve partiake, një ndërmarrje diabolike e kryeministrit Rama për të kushtëzuar koalicionet opozitare me vetmohimin e partive të vogla. Duke diktuar kësisoj një ndeshje tek për tek me kundërshtarin kryesor, që i leverdis PS-së, e cila mbulon e vetme pothuajse gjithë spektrin e majtë. Ndërkohë që fragmentimi në spektrin opozitar është mjaft i madh.
Kohët e fundit kanë dalë në skenë disa parti të reja, siç janë “Shqipëria bëhet” e Adriatik Llapajt, “Mundësia” e Agron Shehajt , “ E djathta-1912” me nismëtar Enkelejd Alibeajn me shokë e ndonjë tjetër. Ndërkohë janë në aktivitet LZHK e Dashamir Shehut, që është distancuar nga PD e Berishës, lëvizja “Thirrja ” e Endri Shabanit që ka konkurruar e vetme edhe në vitin 2021 , Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorrit, si dhe “Demokratët euroatlantikë” të Lulzim Bashës, e paformalizuar ende si forcë politike. Ka edhe subjekte të tjera akoma më të vogla në aleancë me të lartpërmendurat.
Ky arqipelag politik fotografon opozitën plurale në Shqipëri, ku secila parti ka diçka specifike të dallueshme nga tjetra. Rrjedhimisht, ka zgjedhësit e vet që identifikohen me këto dallime.
A mund të ketë një formulë që realizon bashkimin e tyre rreth objektivit të përbashkët të rrotacionit të pushtetit? Në princip po. Si kryetar i partisë më të madhe opozitare Berisha ka barrën të dalë i pari me një projekt të tillë. Rrotacion i pushtetit kërkon që partitë opozitare, nga më e madhja te më e vogla, të çojnë në kutitë e votimit elektoratin antiqeveritar që është dukshëm më i madh se elektorati i rrudhur proqeveritar. Me dallimin se ndërsa Rama dhe PS i çojnë një për një në zgjedhje votuesit e tyre, ansambli opozitar çon vetëm një pjesë, madje partitë e vogla humbasin nëpër marifetet e ligjit zgjedhor edhe nga kontingjenti që çojnë. E gjithë kjo bën që pakica e votuesve socialiste të dalë e para në kutitë e votimeve dhe shumicë në përllogaritjen e votave përfaqësuese.
Për të ndaluar këtë kurth elektoral kompleks, ideja e parë që të vjen në mendje është bashkimi i subjekteve opozitare. E thjeshtë për t’u thënë, por jo aq për t’u bërë. Berisha foli për bashkim pa thënë si. Nuk besoj se partitë e reja do të pranonin të vetmohoheshin për një karrige deputeti, nëse do t’u bëhej një ofertë konkrete. Të shtojmë këtu edhe faktin se bashkimet mekanike-pragmatike nuk marrin me vete gjithë zgjedhësit. Sidomos kësaj radhe kur ndarjet lart për arsyet e njohura kanë zbritur si asnjëherë tjetër te zgjedhësit e thjeshtë.
Por edhe sikur ustallarët t’ia gjenin anën driblimit të pengesës kushtetuese, ata do të përballeshin me pengesa të tjera shumë më të vështira. Pengesa e parë, e pakapërcyeshme sipas mendimit tim, është papajtueshmëria programore për një çështje madhore siç është qëndrimi ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi.
Berisha s’resht së kërcënuari me ton zhbërjen e tyre. Sapo të vijë në pushtet! Ai e di shumë mirë se për të zhbërë reformën në drejtësi duhen dy të tretat e deputetëve të parlamentit, ndërkohë që sondazhet periodike tregojnë se PD e tij është dukshëm larg shumicës së thjeshtë dhe jo më të ketë dy të tretat. Veç po të ketë në mendje votat e PS-së dhe të jetë duke folur edhe në emër të Edi Ramës. Pa qenë nevoja të ketë nga ky i fundit lejen formale. Të cilën e ka kapur në ajër, sa kohë që edhe PS ka hedhur në eter idenë e “një reformë të re në drejtësi” në pritje të pjekjes së kushteve!
Sado ëndrra të shohin, edhe po t’i futeshin punës, turk e trim, si i thonë fjalës, do të ishin në pamundësi absolute për ta zhbërë drejtësinë e re në shtyllat e saj. Nuk i lë SHBA dhe BE-ja. Nuk i lë elektorati shqiptar. Nuk i lë vetë konsolidimi dhe suksesi i shumëvlerësuar i SPAK. Berisha e ka retorikë dhe truk komunikativ premtim- kërcënimin e tij. Kërkon të duket shumë i fortë para ndjekësve të vet. Vret shumë lart për të kapur sa më shumë të jetë e mundur poshtë.
Premtim kërcënimi i tij është qartazi antielektoral. Shumica dërmuese e shqiptarëve mbështesin dhe inkurajojnë SPAK-un. Kreu i tij, Altin Dumani është njeriu më popullor në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Pakica që nuk e mbështet është ajo që ka formuar Berisha me retorikën e tij, ndoshta edhe të afërmit e zyrtarëve dhe njerëzve të botës së krimit në rrjetën e drejtësisë së re.
Duke e bërë rastin e tij si person akuzuar që pret të gjykohet kriter të qëndrimit hakmarrës ndaj SPAK dhe Drejtësisë së re, Berisha nuk shton asnjë aleat nga radhët e partive të vogla parlamentare që nuk janë satelitë të tij. Përkundrazi, i mëshon edhe më shumë vijë së pakalueshme ndarëse me ta. Madje vë në pozitë të vështirë edhe disa nga mbështetësit e tij të rinj, të bashkuar me të në “diversitet”. Projekti i tij i anulimit të Reformës në Drejtësi është projekti i mosbashkimit të opozitës. Me sa kam parë, asnjëra prej partive të reja opozitare nuk e çon nëpër mend të përqafojë kthimin e pandëshkueshërisë në sferat e larta, gangrenës që i ka bërë dëme kolosale demokracisë sonë.
Kjo vijë ndarëse mund të hiqet nëse Berisha tërhiqet nga qëndrimet e tij anti-SPAK, duke i lënë radhën heqjes së vijës tjetër ndarëse, asaj të sanksionimit nga SHBA dhe Britania e madhe. Në dorë të Administratës së Presidentit Tramp e para dhe Gjykatës së Strasburgut e dyta.
Në këto kushte partitë opozitare që mbështesin pa ekuivokë SPAK dhe drejtësinë e re do të duhet të organizohen si një pol i dytë opozitar për t’i dhënë jetë opozitës plurale që bashkëvepron në diversitet secila në shtëpinë e vet. Si në shembullin e së djathtës italiane.